Mesfushë e zbrazur për ndeshjen me Gjermaninë. Kjo është gjendja e Italisë në prag të çerekfinales që do të luhet të shtunën. Sikur ndeshja të luhej të premten, është e sigurt që Daniele De Rossi nuk do të luante, por situata nuk duket e mirë as për të shtunën, ndonëse lojtari dhe stafi mjekësor po bëjnë gjithçka për riaftësimin. Mesfushori i Romës ka një dëmtim në kofshë, të cilin e mori gjatë ndeshjes me Spanjën, ku u zëvendësua nga Thiago Motta. Ky i fundit mori karton të verdhë dhe nuk do të luajë kundër Gjermanisë.
E pasigurt gjendja edhe për lacialin Candreva. Pas dëmtimit në ndeshjen me Suedinë, nisi stërvitjen dhe kishte shpresë për aktivizim në çerekfinale, por dëmtimi muskulor është rënduar dhe tani anon më tepër nga mosaktivizimi.
Për t’i bërë më të qarta gjërat, sot pasdite pritet dalja në konferencë për shtyp e mjekut të kombëtares italiane, Enrico Castellacci.
Ndërkaq, trajneri Antonio Conte po mendon për aktivizimin e Sturaros ose ndoshta avancimin e mbrojtësit Bonucci në mesfushë.
d.i.