Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi, pa praninë e opozitës, diskutoi të mërkurën në parim projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”.
Anëtari i komisionit Ulsi Manja tha për mediat, pas mbledhjes, se risi kryesore e këtij drafti tërësisht të ri, është se prokuroria nuk do të jetë më një organ i centralizuar, por një organ i pavarur, që garanton respektimin e pavarësisë në ushtrimin e ndjekjes penale.
Po ashtu, tha ai, zgjedhja e kryeprokurorit do të bëhet nga Kuvendi, me 3/5-n e votave.
“Risi kryesore e draftit është se tashmë prokurori i çështjes është i pavarur në ushtrimin e ndjekjes penale dhe ne kryerjen e hetimeve paraprake”, u shpreh Manja.
Pr/ligji gjithashtu ka parashikuar kushtet dhe kriteret specifike lidhur me zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm. Formula e zgjedhjes së kryeprokurorit, parashikon votimin me 3/5 ne Kuvend, me propozimin e Këshillit të Lartë te Emërimeve, me një mandat 7-vjeçar.
Pr/ligji i diskutuar sot nga komisioni i posaçëm është në kuadër të diskutimit të paketës që përmban 7 ligje, miratimi i të cilave është i nevojshëm për ta bërë të zbatueshëm draftin e ndryshimeve kushtetuese, që lidhet me reformën në drejtësi. (java / r.a)