Pagat dhe pensionet nuk do të rriten gjatë vitit 2016, ndërsa qeveria po shqyrton mundësinë e rritjes së tyre gjatë vitit të ardhshëm. Ky fakt është bërë i ditur në emisionin “Ekopolitikë” në “Ora News”, nga sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Financave, Gelardina Prodani. Ajo ka deklaruar se në korrik, kur do të bëhet rishikimi i buxhetit, nuk është parashikuar rritje pagash dhe pensionesh, pasi objektivi do të jetë ulja e borxhit.
“Nuk do të ketë rritje të pagave dhe pensioneve në rishikimin e buxhetit në korrik. Rritja e pagave dhe pensioneve mund të jetë pjesë e buxhetit 2017”, u shpreh Prodani. Sipas saj, fokusi do të jetë te mbajtja nën kontroll e deficitit dhe borxhit. “Ngelet për t’u adresuar monitorimi i detyrimeve të prapambetura, të cilën ne po e bëjmë. Ato çka janë akumuluar për momentin do të rizgjidhen dhe do të jenë pjesë e buxhetit të rishikuar, i cili pritet të përmbyllet në korrik”, tha drejtuesja e Ministrisë së Financave.
Prodani ka zbardhur edhe vlerën prej 2.3 miliardë lekë të detyrimeve të papaguara që ka krijuar Qeveria, për të cilën edhe FMN-ja bëri kritika në konferencën për shtyp në mbyllje të vizitës dyjavore në Tiranë. “Vlera është 2.3 miliardë lekë, por nga këto 1 miliard janë vendime gjyqësore dhe 1.3 miliardë lekë janë punë të kryera të progresuara nga investitorët, që do të rialokohen me buxhetin e rishikuar të këtij viti”, u shpreh Prodani.
Gjithashtu, sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Financave ka bërë të ditur gjithashtu se po bëhet një studim për kadastrën fiskale, mbi të cilën do të veprohet edhe për taksën e pronës, bazuar mbi vlerën reale të saj, një tjetër shqetësim ky i FMN-së.
ma.me