Një tjetër kopësht në kryeqytet ofron tashmë, jo vetëm kushte më të mira për fëmijët, por edhe një kënd lojërash. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të kopshtit në Sauk, të cilit i është shtuar edhe një hapësirë me lodra për fëmijët. Ambientet e rikonstruktuara u përuruan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur për të rikonstruktuar të gjitha kopshtet brenda këtij viti.
“Është një punë që bëhet me shumë dashuri, e cila u vjen në ndihmë edhe prindërve të cilët duan t’i çojnë fëmijët e tyre në një ambient të sigurt. Veç rikonstruksionit, nga shtatori ky kopësht do të kthehet në një kopësht me drekë. Më vjen mirë që kemi rikuperuar gjysmën e ndërtesës, e cila më parë ishte totalisht jashtë përdorimit. Sot është në dispozicion të fëmijëve”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai theksoi se është i vendosur që ta mbajë plotësisht premtimin që brenda këtij viti të gjitha kopshtet e Tiranës të jenë me standarde dhe kushte të njëjta, duke ofruar gjithashtu siguri dhe një trajtim dinjitoz për të vegjlit.
“Jemi thuajse në gjysmën e rrugës, ndaj dua të siguroj qytetarët që kur të kthehen në shtator do të gjejnë kopshte, shkolla, e çerdhe totalisht të rikonstruktuara. Sigurisht, do të jenë më cilësorë. Më vjen mirë që, si ky kopsht, po punohet pa pushim, gjatë gjithë verës, edhe në kopshtet e tjera, të cilët po pajisen me kënde lodrash, në mënyrë që fëmijët të kenë një ambient të sigurt, por edhe mundësi të luajnë”, shtoi kreu i bashkisë. Sipas tij, rritja e cilësisë së shërbimit dhe përmirësimi i kushteve të jetesës në këto kopshte ka bërë që këtë vit të rritet në mënyrë të ndjeshme kërkesa e prindërve për t’i çuar fëmijët e tyre në institucionet publike.
“Jemi në një situatë të paimagjinueshme, krahasuar me një vit më parë. Jo vetëm kopshtet publike kanë shumë më shumë kërkesë se kopshtet private, por edhe cilësia është rritur jashtë mase. Sot, për një vend në kopshtet publike kemi rreth 11 kërkesa, çka do të thotë se jemi para një sfide, por sigurisht është edhe një kompliment sepse më në fund në Tiranë institucionet publike funksionojnë më mirë se institucionet private. Ndaj, më vjen mirë që për herë të parë, besimi te publikja është kthyer dhe kjo pasi publikja po ofron një cilësi shumë të mirë”, theksoi Veliaj. Ai gjithashtu, bëri të ditur se investimet e bashkisë në favor të fëmijëve do të vazhdojnë edhe me ndërtimin e 11 këndeve të tjera të lojërave në çdo lagje kryesore të Tiranës.
“Siç vazhduam me këndin e lodrave te liqeni, pastaj te “Mine Peza”, do të gjejmë hapësira të pashfrytëzuara që mund të kthehen në kënde lodrash, për t’u siguruar që fëmijët e brezit të viteve 2000 të mos rriten si fëmijët e brezit të viteve ’90, që as nuk patën fëmijëri, as nuk patën lodra. Shpresoj që, kur princërit e princeshat tanë të rriten, të kemi një Shqipëri shumë më të mirë se ajo që kemi sot”, tha Veliaj. Në kopështin e Saukut janë kryer punime suvatimi të jashtme dhe të brendshme, është bërë zëvendësimi i parketit, rikonstruksioni i banjave, punime elektrike etj.