Projektit kinematografik “Home”, i realizuar si koproduksion midis Anglisë dhe Kosovës, i është hapur dera e parë drejt ceremonisë më prestigjioze të filmit në botë, pasi ka marrë çmimin kryesor në festivalin e njohur amerikan.
Filmi 20- minutash, nën regji të Daniel Mulloyt, ka marrë çmimin “Best of the Festival Aëard” në edicionin e sivjetmë të “Palm Springs International ShortFest”, shkruan sot “Koha Ditore”. Festivali që u përmbyll të dielën kualifikon filma për “Oscar” dhe është ndër më të mëdhenjtë të filmit të shkurtër në Amerikën Veriore.
“Home” – që trajton çështjen e refugjatëve në një perspektivë të veçantë – është produksion i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” dhe “Black Sheep Studios” e “Somesuch” nga Anglia. Lajmin për triumfin e filmit me protagonistë Jack O’Connell e Holly Grainger në festivalin e famshëm, e ka publikuar të hënën “Hollyëood Reporter”.
“Ishte një befasi. Thënë të drejtën nuk e kemi pritur një lajm kaq të mirë. Por dje ka përfunduar festivali që është prej goxha prestigjiozëve në Amerikë dhe ky është çmimi i parë për ‘Home’ edhe pse është shfaqur edhe në disa festivale tjera”, ka thënë Eroll Bilbani, drejtor ekzekutiv i “DokuFestit” e njëherësh edhe producent ekzekutiv i filmit bashkë me aktoren e njohur kosovare, Arta Dobroshi.
“Dhe përmes këtij çmimi, filmi automatikisht konsiderohet për nominim për ‘Oscar’ dhe vërtet është lajm i mirë. Edhe pse është herët të flitet, kjo mund të konsiderohet derë e parë drejt nonimimit, sepse tani filmi automatikisht hyn në listën e filmave që duhen konsideruar për nominim”, ka shpjeguar ai. Kosova këtë vit ka pasur nominimin historik nga Akademia prestigjioze. “Shok”, po ashtu kooproduksion britaniko-kosovar, ishte nominuar në kategorinë “Best Live Action”, por u mposht nga filmi “Stutterer” në ceremoninë e mbajtur në shkurt.
Në ueb faqen zyrtare të “Palm Springs International ShortFest” jepen të dhëna për organizatorët dhe impaktin që ka ky event në botën e filmit.
“Home” ishte shfaqur në Kinemanë ABC me rastin e 20 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Refugjatëve.
Në të luajnë edhe aktorët shqiptarë: Zaki Ramadani, Andi Bajgora, Edison Dabiqaj, Adriana Matoshi, Armend Ismajli, Rifat Smani. (b.an)