Rasti Becchetti është bërë prej ditësh edhe debat politik. Partia Demokratike pas reagimit të Berishës, ka dalë sot publikisht në mbrojtje të Beccettit, por këtë herë duke sulmuar bashkëshorten e kandidatit Erion Veliaj, Ajola Xoxa.
Sipas deputetit demokrat Luçiano Boçi, nëse Beccetti ka pastruar para, siç akuzohet, e ka bërë me ndihmën e avokates së tij, Ajola Xoxa.
“Sipas Edi Ramës, Ajola Xoxa, bashkëshortja e kandidatit të tij për Tiranën, është e përfshirë në para të pisëta.
Kështu i quan Edi Rama paratë e pronarit të Agon Channel, ku Ajola Xoxe është e lidhur drejtpërdrejt si përfaqësuese ligjore e z.Becchetti.
Është bërë publike sot, se zonja Veliaj ka përfaqësuar në disa gjyqe pronarin e Agon Channel, pikërisht për çështjen financiare për të cilën është akuzuar klienti i saj.
Ndërkohë që, dy ditë më parë, kur sapo nisi procesi për këtë rast, Edi Rama shpalli verdiktin e tij. Si prokuror madje si gjyqtar suprem, ai tha: “Bllokimi i burimit të parasë së zezë që ushqente Agon Channel një sukses!”.
Ajola Xoxe ndërkohë është në mes të gjithë kësaj histore transaksionesh si avokate e Beçhettit. Nëse paratë e pronarit të Agon janë të pisëta, me burim kriminal, si ka mundësi që zonja Veliaj është e përfshirë?
Si ka mundësi që ndaj saj nuk ka sot një procedim penal, sepse ekziston, është në fuqi një ligj që e detyron avokatin të raportojë pranë Drejtorisë së Pastrimit të Parave kur ka lëvizje të dyshimta parash, që e kalojnë shumën e 1 milionë lekëve të vjetra,” tha Boçi.