Nga Ben Andoni
Sipas një rregulli të pashkruar, sezoni teatror përfundon kur vjen koha e nxehtë kurse shfaqjet kulturore në përgjithësi zvogëlohen, njësoj si pushimet e mësuesve gjatë periudhës së verës. Por, ndërsa këta të fundit, sidomos ata të dikurshmit të jepnin një mal me detyra, sot, ekuipazhi teatror prehet prej një mali me probleme, ku reduktimi i kohë-kalendarit të tij është më i pakti.
Në fakt, është e përsëritur si ide dhe si kërkesë, por duket se edhe ndryshimet e pakta që po ndodhin në politikën kulturore nuk e kthejnë dot stereotipin që është krijuar, sipas të cilit, fillimi i verës do të thotë fund i sezonit teatror.
Nga një anë është e justifikuar me kushtet fizike në të cilat ndodhet godina e teatrit pasi megjithë meremetimet që i janë bërë, TK nuk ka mundur asnjëherë të kalojë në parametra maksimalë dhe të kënaqshëm për publikun në sezonin veror.
Për hir të së vërtetës Tirana ka edhe dy teatro verorë, njëri në liqenin artificial dhe tjetri mu pranë Akademisë së Arteve, por të dy ata nuk janë gjendur si alternativa për shfaqje. Jo se nuk është parë e arsyeshme, por kultura e njerëzve e mësuar me boshësinë e rradhëve të tyre i ka braktisur edhe kur në to ka pasur shfaqje cilësore. Të kujtojmë Festivalin e dokumentarëve të TIFF, të vitit 2015 që përcolli realisht shfaqje shumë cilësore filmike, por ku pjesëmarrja ishte aq a vogël teksa amfiteatri i Liqenit “u zbulua” nga politika, por sapo mbaroi sezoni zgjedhor është lënë krejtësisht në mëshirën e natyrës.
Ndoshta fillimi i një kulture kalendari teatror që ta prekte të gjithë vitin do të ishte optimale për kryeqytetin, që e gjen gjuhën vetëm për fan-zone dhe qendrat e pijeve, që mbinë rregullisht te sheshi “Nënë Tereza” dhe tek pedonalja. Realisht ideja jonë nuk mund t’i konkurrojë dot, pasi kjo është pak a shumë stili historik i jetesës shqiptare por jep një mesazh që kultura jonë ka ndryshuar, atë që e mëtojmë dhe që mundojmë ta shpalosim shpesh.
Ndërkohë politika, që mund të jepte një dorë, e futur në ngërçin e Reformës për Drejtësi ka marrë dhe peshën specifike të vëmendjes, kurse ministria e linjës së kulturës mjaftohet me dukjen dhe politikën e saj që t’i kënaqë me pak të gjithë.
Kurse Tirana ka nevojë për shumë më tepër, për një kalendar efektiv artistik teatror dhe filmik që të kapë dhe të trajtojë të gjithë javët e vitit. Dhe, asnjë nga gjinitë, nuk mund ta bëjë më mirë këtë sesa teatri. Për mesazhet e jashtëzakonshme që përcjell, sfidat por me shumë qytetarinë që e kemi aq shumë të nevojshme. Dhe, teatri e filmi e bëjnë këtë, kurse politikanët dhe pushtet-bërësit, thjesht duhet të japin një dorë.