Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ka marrë pjesë në konferencën “Progresi i Shqipërisë për agjendën e konektivitetit, në sektorët e Transportit dhe Energjisë”.
Në këtë aktivitetet, organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, së bashku me fondacionin “Konrad Adenauer”, ministri Haxhinasto vlerësoi rolin e Gjermanisë në këtë proces, pasi rajoni i Ballkanit ka nevojë përveç impaktit politik edhe për atë ekonomik.
Ministri tha se është me shumë rëndësi që pjesa e infrastrukturës fizike duhet të eci paralel me masat e tjera, duke përmendur masat e buta që janë rregullat e tregut e politikat e përdorimit të infrastrukturës.
Në këtë kontekst, Haxhinasto tha se rajoni duhet të shkojë drejt liberalizimit të tregut, pasi aktualisht kostot e shërbimeve kufitare mes vendeve të Ballkanit, janë 5 herë më të larta krahasuar me vendet e BE-së.
Modeli “One stop Shop”, që aktualisht po aplikohet me Malin e Zi, ministri tha se duhet të shtrihet në gjithë rajonin. Ministri tha se duhet një koordinim më i madh mes vendeve të rajonit, veçanërisht për projektet e mëdha në infrastrukturë dhe vlerësoi miratimin e grantit 4 mln euro për korridorin Adriatiko-Jonian.
Haxhinasto nënvizoi se zhvillimi dhe lidhshmëria, do të sjellin më shumë qëndrueshmëri dhe prosperitet në rajonin e Ballkanit, por ky zhvillim kërkon angazhim më të madh financiar nga partnerët ndërkombëtarë.
Ai paraqiti zhvillimet në infrastrukturë dhe plotësimin e detyrimeve kombëtare në kuadër të procesit të Berlinit, të cilat përkojnë me detyrimet për avancimin e mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë në BE.