Procedimet e Policisë së Shtetit sa vijnë e shtohen sa i takon veprave të “Ushtrimit të Prostitucionit”, dhe “shfrytëzimit për prostitucion”. Në një kohë kur rastet e ushtrimit me dëshirë të prostitucionit tashmë po kthehen në një fenomen mjaft të përhapur, nuk mungojnë as procedimet për shfrytëzim jashtë dëshire, apo mashtrim me synim prostituimin e vajzave të reja.
Një histori të dhimbshme ka një vajzë nga Vlora e cila u mashtrua nga personi me të cilin lidhi kurorë. Ai që për vajzën 20-vjeçare mendohej si njeriu më i dashur me të cilin do të kalonte jetën, u kthye në tutorin e saj. Gjithçka ishte menduar mjaft mirë nga 26-vjeçari me inicialet O.S, nga qyteti i Fierit, i cili tashmë do të përballet me akuzën e “trafikimit me qëllim shfrytëzimin për prostitucion”.
Historia
Vajza e re nga Vlora me inicialet B.S, banuese në qytetin bregdetar, ishte njohur në një rrjet shqoëror me djalin nga Fieri, 26-vjeçarin O.S. Pas takimit të parë, ata u afruan edhe më shumë dhe filluan së bashku një lidhje intime. Gjithçka dukej një lidhje normale, që forcohej nga dashuria mes të rinjve.
Djali i ri u prezantua në familjen e vajzës pas disa kohësh, dhe deklaroi para tyre se kishte qëllime serioze. Lidhja midis të rinjve vijoi me dijeninë e familjeve derisa ata u fejuan. Vajza e re mendonte se po realizonte ëndrrën kur më në fund lidhi kurorë me 26-vjeçarin. Por, pas martese, sjella e tij nuk ishte e njëjtë me vajzën.
Çifti kishte biseduar për t’u larguar jashtë. Por, vajza zbuloi qëllimin e vërtetë të bashkëshortit të saj. Pasi vajza u nda nga ai person, çështja tashmë po hetohet nga prokuroria, e cila dyshon se e reja do të trafikohej për prostitucion në Holandë dhe Zvicër./Javanews/a.m.