Banka Botërore ka konfirmuar parashikimet për rritjen ekonomike të Shqipërisë deri në kufijtë e 3.5% për tre vitet në vazhdim.
Në raportin e publikuar së fundi prej saj, Banka Botërore evidenton se, mbështetur në projeksionet e raportit për perspektivat ekonomike globale, ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3% për vitin 2015 dhe me 3.5% për vitet 2016 dhe 2017.
Përmirësimi i rritjes ekonomike do të jetë i ngadaltë dhe do të mbashtetet në aftësinë për rimëkëmbjen e aktivitetit privat. Ndërsa ekonomitë në vendet e Evropës Juglindore ngelen të brishta ndaj rreziqeve që lidhen me faktorët atmosferikë.
Për të nxitur rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës, Banka Botërore e vendos edhe njëherë theksin te nevoja për të thelluar reformat në të gjithë vendet e Rajonit. Shumë vende, përfshi Shqipërinë, ende janë larg praktikave më të mira në klimën e biznesit, që do të mundësonin rritje të produktivitetit, citon BB. ATA