Parku i Lurës, deri para pak vitesh i famshëm për pasuritë e mëdha që ka në drejtim të diversitetit, të florës dhe faunë është tjetërsuar dhe gjendet në prag të degradimit të plotë. Agjencia për Zhvillim Rajonal 2 Tiranë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Ministrinë e Arsimit dhe bashkitë Peshkopi, Bulqizë, Mirditë dhe Mat kanë organizuar të parin aktivitet në kuadër të projektit Rivitalizimi i Parkut Kombëtar të Lurës. Ky aktivitet i parë qe nisi te dielën e 26 qershorit, konsiston në ndërgjegjësimin e shoqërisë ndaj ruajtjes së vlerave mjedisore dhe trashëgimisë natyrore dhe kulturore. Me shumë se 200 të rinj të shkollave të mesme të bashkive Peshkopi, Rrëshen, Burrel dhe Bulqizë i janë bashkuar aksionit të nisur në zonën e Liqenit të Madh të Parkut të Lurës për pastrimin e tij. Në aktivitet përveç kryetarëve të njesive përkatëse të pushtetit vendor ka marrë pjesë edhe Këshilltari i Kryeministrit, Sandër Lleshi, i cili ka shprehur mbështetjen e kryeministrit Rama për realizimin e këtij projekti.
“Jemi rritur dhe kemi jetuar në një vend ku Lura përmendej si një nga perlat e natyrës shqiptare”, ka thënë këshilltari I Kryeministrit Rama. “Për fat të keq dëmtimet e këtyre 25 vjetëve kanë qenë të mëdha, por unë jam këtu për të shprehur mbështetjen e Kryeministrit dhe qeverisë Shqiptare për të iniciuar një projekt që do ta kthejë Lurën në një destinacion turistik dhe për t’i dhënë vendin që i takon këtij parku”.
Gjithashtu kryetaret e bashkive kane shprehur kënaqësine dhe falenderimet për këtë nismë të iniciuar nga Agjencia për Zhvillim Rajonal Tiranë për Lurën.
Pas aktivitetit përfaqësuesit e njesive të qeverisjes vendore dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kanë nënshkruar me Agjencinë për Zhvillim Rajonal 2 Tiranë nismën e përbashkët për rivitalizimin e Parkut të Lurës.
Parku i Lurës, deri para pak vitesh i famshëm për pasuritë e mëdha që ka në drejtim të diversitetit, të florës dhe faunës, që më parë konsiderohej unik në llojin e vet, është tjetërsuar dhe gjendet në prag të degradimit të plotë. Aktualisht, sipas vlerësimeve nga specialistë të mjedisit, pothuajse 50 për qind e sipërfaqes së Parkut është dëmtuar nga ndërhyrjet e një shfrytëzimi pa kriter të sipërfaqes pyjore që rrethon liqenet e famshëm të kësaj zone. Dëmtime të mëdha të florës kanë dhënë pasojë të drejtpërdrejtë edhe në reduktimin e ndjeshëm të faunës së kësaj zone duke rrezikuar edhe zhdukjen e disa specieve krejtësisht të veçanta.
Për rikuperimin e gjendjes kërkohen ndërhyrje konkrete, të cilat padyshim e kanë fillimin e tyre në sigurimin e një infrastrukture bashkëkohore sipas normave të BE-së që mundësojnë zhvillimin e turizmit dhe ndihmojnë në rritjen e punësimit dhe mirëqenies.
Për të rritur shkallën e vetëdijes të të gjitha strukturave, të popullsisë që jeton aty pranë dhe që gëzon benefitet e kësaj pasurie, por edhe për të bërë më të ndjeshëm të gjithë opinionin shoqëror në të gjitha shtresat e popullsisë, duke filluar nga nxënësit e shkollave dhe deri tek institucionet që ligjërisht janë përgjegjëse direkt për mbrojtjen e tyre, kjo nismë u zhvillua nën sloganin: “Mjedisi, streha jonë e përbashkët”.