Ditën kur shënohet 627-vjetori i Betejës së Kosovës, më 28 qershor, një shtatore gjigante e Car Lazarit do të vendoset në veri të Mitrovicës, në sheshin që mban emrin e njëjtë.
Shtatorja e gjatë 12 metra është donacion i Serbisë, ndërkaq lejen për vendosjen e saj formalisht e ka miratuar Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore, në një seancë të jashtëzakonshme, shkruan Koha Ditore.
Në politikën serbe ngrihet lart figura e mbretit Lazar, që shkon deri në legjendë, të cilën për qëllime të veta e kanë përdorur shpesh udhëheqësit serbë.
27 vjet më parë, përvjetori i kësaj beteje kishte tubuar në mitingun e Gazimestanit rreth 1 milion serbë, aty ku u promovua fuqizimi politik i Slobodan Milosheviqit, i cili më pas u bë njeriu numër një në hierarkinë politike në Serbi. Janë të njohura pasojat dhe luftërat e përgjakshme në Ballkan që solli udhëheqja e tij, e të cilat kulmuan në Kosovë. (b.an)