Miliarderi George Soros ka paralajmëruar se rezultati i referendumit britanik për të dalë nga Bashkimi Europian e bën tashmë shpërbërjen e bllokut “praktikisht të pakthyeshme”. Gjithsesi, ai ka bërë thirrje për ristrukturim të thellë të BE-së, në përpjekje për ta shpëtuar këtë bashkësi shtetesh.
Përpara referendumit të së enjtes në Britaninë e Madhe, Soros kishte paralajmëruar një situatë të vështirë financiare nëse ishulli do të votonte pro largimit nga BE-ja. Ndërsa në komentet e tij të fundit, ai thotë se efektet e këtij vendimi do të dëmtojnë më shumë Britaninë.
“Britania aktualisht mund të jetë ose jo relativisht më e mirë sesa vendet e tjera pas largimit nga BE-ja, por ekonomia e saj dhe populli i saj pritet të vuajnë në mënyrë të konsiderueshme në periudha afatshkurtra dhe afatmesme”, shkroi ai në faqen e internetit të “Project Syndicate”.
Sorosi arriti të siguronte përfitime të mëdha në atë që konsiderohet si “e mërkura e zezë” e vitit 1992, duke vendosur baste kundër paundit britanik, teksa ky i fundit mbeti jashtë Mekanizmit Europian i Kursit të Këmbimit.
Përpara votimit të së enjtes, ai paralajmëroi gjithashtu për një tjetër tronditje të tillë, duke parashikuar se një triumf i “Brexit”-it do të bënte që paundi britanik të zhvlerësohej me 15-20%. Stërlina, gjithsesi, ra me vetëm 10 për qind, por edhe kështu shënoi nivelin më të ulët të 31 viteve të fundit.
“Tashmë skenari katastrofik të cilit i druheshin të gjithë është materializuar, duke e bërë shpërbërjen e Bashkimit Europian praktikisht të paevitueshëm”, shkroi Soros. “Tregjet financiare anembanë botës pritet të mbeten të pasigurta për aq kohë sa do të zgjasë procesi i komplikuar i divorcit politik dhe ekonomik të Britanisë nga BE-ja”.
Sipas tij, pasojat për ekonominë do të ishin të ngjashme dhe të krahasueshme me ato të krizës financiare të viteve 2007-2008.
“Pas ‘Brexit’-it, të gjithë ne që besojmë në vlerat dhe parimet mbi të cilat është ngritur BE-ja, duhet të bashkohemi dhe të shpëtojmë atë përmes ristrukturimit të thellë të tij”, shton më tej miliarderi. “Jam i bindur se, duke qenë se pasojat e ‘Brexit’-it janë shpalosur javë dhe muaj më parë, gjithnjë e më shumë njerëz do të na bashkohen”.
TCH/d.i.