Në fshatin Zhujë të Komunës së Kamenicës, ditë më parë ishte identifikuar një rast me sëmundjen gungore të lëkurës tek gjedhet.
Një rast tjetër i tillë, me po të njëjtën diagnozë është regjistruar edhe në Komunën e Vitisë, gjë që ka ndikuar që kjo të shndërrohet në fenomen shqetësues.
Lidhur me rastin e parë, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës kanë bërë të ditur se rasti është diagnostifikuar nga rezultatet laboratorike, me ç’rast është bërë edhe asgjësimi i kafshës.
Ndërsa, lidhur me rastin e dytë, inspektori në Komunën e Vitisë, Arben Rexha ka thënë për KosovaPress se komuna ka ndërmarrë masa duke e izoluar dhe spërkatur kafshën, ndërsa janë duke pritur analizat, në mënyrë që të marrin masat e duhura për parandalimin e sëmundjes.
Detajet për rastin e parë të diagnostifikimit me këtë sëmundje në fshatin Zhujë të Kamenicës, i ka bërë të ditura kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdet Gjinovci, i cili për KosovaPress ka thënë se agjencia ka ndërmarr të gjitha masat të cilat kërkohen për të parandaluar këtë sëmundje. (b.an)