Nga Përparim Spahiu
Që dje, pas referendumit në Britaninë e Madhe, Bashkimi Europian është detyruar të zbresë më poshtë. Jo vetëm drejt zemrës së saj franko-gjermane, por edhe ujërave të ngrohta të pellgut të Mesdheut, duke iu larguar rrymave të ftohta të Detit të Veriut. Edhe pse Skocia dhe Irlanda e Veriut, kanë vendosur të qëndrojnë në hartën blu të Europës së Bashkuar, Europa s’mund të jetë më e njëjtë me atë të para 23 qershorit 2016. Ndonëse do duhen të paktën 2, 5 apo 7 vite që Britania e Madhe të shkëpusë përfundimisht lidhjet me BE, unioni nuk do të shqiptohet më i shoqëruar me numrin 28, por 27. Megjithatë pasojat e “tërmetit” në Britaninë e Madhe (edhe pse shokuese) do të ishin pak, nëse fitorja e Nigel Farage që kryesoi fushatën për një Britani të pastër dhe protestante, jashtë BE, të mos ri-aktivizonte eskremistë të djathtë, radikalë anti-emigrantë, islamofobë dhe euroskeptikë në gjithë Europën. Marion Le Pen në Francë dhe Geert Ëilders në Hollandë, që dje nxituan të kërkojnë referendume të ngjashme edhe në vendet e tyre, ndërsa partia e presidentit të ri austriak, apo Lega Nord në Itali, nxorrën duart nga xhepat për të duartrokitur “vendimin sovran” të popullit britanik.
Që dje Europa duket sikur është më e vogël, edhe pse ka ndryshuar vetëm Bashkimi Europian. Presidenti francez, kancelarja gjermane, por edhe kryeministrat fqinjë nga Italia dhe Greqia, apeluan të parët për të shtrënguar radhët e BE-së së mbetur, pa harruar të “kërcënojnë” Britaninë e Madhe me nisjen urgjente të procedurave të “divorcit”. Ndoshta ngaqë dje ishte vetëm dita e parë me 27 dhe s’mund të flitej për asnjë “martesë” të re. As për 28, 29, 30, 31 e 32 vetëm nga Ballkani, pa përmendur 33-in e Turqisë. Por kjo s’do të thotë s’e nuk e mendojnë ose nuk do ta mendojnë kurrë. Sepse Europa e sotme nuk është mësuar të mësohet me një Bashkim Europian më të vogël, e jo më me një Europë më të vogël. Duke ditur se një pjesë e kontinentit të vjetër, me muslimanë, ortodoksë e katolikë autoktonë, vazhdon të qëndrojë në Europë, pa Europën, edhe pse laget nga i njëjti det e ngrohet nga i njëjti diell. Europa s’mund ta zvogëlojë Europën me duart e saj, sidomos nga dje. Dhe e ka më të lehtë të pranojë ato që e duan, se sa të sfiliten për të mbajtur ato që duan t’u ikin. Ndaj duhet të jemi gati, të paktën Ne në Shqipëri. Gati, natyrisht jo me lugë në brez, por gati për të qenë gati për Europë…Edhe pse sot të gjithë e kanë mendjen te “Brexit”…