Avokati i Popullit, Igli Totozani, mori pjesë në ditën kombëtare të Komunitetit Egjiptian. Në aktivitetin e organizuar me këtë rast Avokati i Popullit u shpreh:
“Në momentin që mora ftesën për pjesëmarrje në këtë aktivitet, kujtesa më solli në vëmendje një takim të vetëm para disa ditëve, që zhvillova me disa përfaqësues të komunitetit Egjiptian në vend dhe përfaqësues të OJF-ve, që zhvillojnë aktivitet në mbrojtje të të drejtave të komuniteteve Rome dhe Egjiptiane.
Pyetja e parë që m’u bë në këtë takim ishte se përse Egjiptianët sot në Shqipëri nuk njihen si minoritet, megjithëse këtë të drejtë dhe njohje e gëzojnë sot disa komunitete të tjera në vend. Për më tepër, shqetësimi i tyre madhor ishte se përse komuniteti i tyre i madh në numër, (ndoshta më i madh edhe se shumë komunitete të tjera që sot njihen si minoritete), nuk trajtohet si specifik në kuadër të problematikave që shqetësojnë atë, por gjithmonë bashkëngjitur minoriteteve të tjera.
Duke ndarë edhe unë shqetësimin e tyre, nuk e pata të vështirë të jap një përgjigje. Vizioni i punës së institucionit që unë drejtoj në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave kolektive të minoriteteve dhe komuniteteve, apo edhe të drejtave individuale të pjesëtarëve të tyre, bazohet në frymën shumë të mirë ekzistuese të bashkëjetesës ndërmjet, popullsisë mazhoritare me atë minoritare dhe konsideron se, këto komunitete dhe minoritete në Shqipëri janë një pasuri kombëtare e çmueshme për të shkuarën dhe të ardhmen e vendit. Me këtë vizion, veç shumë rekomandimeve të dërguara tek institucionet përgjegjëse shtëtërore për problematikat, që shqetësojnë specifikisht edhe komunitetin Egjiptian, përmend sot një ndër raportet e posaçme që Avokati i Popullit ka depozituar pranë Parlamentit Shqiptar, në muajt e parë të vitit 2015 (ende i padiskutuar), mbi gjendjen e të drejtave të minoriteteve në vend. Raporti ka përfshirë edhe analizën mbi gjendjen e të drejtave të komuniteteve të tjera si Egjiptianët, Boshnjakët, apo edhe Goranët. Çështjet e trajtuara në këtë raport si dhe rekomandimet e dhëna prej nesh vazhdojnë të mbeten aktuale, pasi ato kanë të bëjnë me:
1.Nevojën për miratimin e një ligji, ku të përcaktohet definicioni dhe kriteret e njohjes “de jure” të minoriteteve,në përputhje me parashikimet e Konventës Kuadër të Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e minoriteteve”, të ratifikuar me ligjin Nr.8496 datë 3.06.1999.
2. Përmirësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen nga diskriminimi, me fokus disa përmirësime në nenin1, të Ligjit Nr.10221,datë 4.02.2010 “Për mbrojtjen kundër diskriminimit”, duke përfshirë në këtë nen si shkaqe për diskriminim; kombësinë; qëllimin e shpallur për të diskriminuar;nxitjen për diskriminim dhe ndihmesën dhe inkurajimin e diskriminimit.
3. Fillimin dhe përfundimin e procesit për ratifikimin e Kartës Europiane për Gjuhët Rajonale, ose Minoritare.
4. Marrjen e masave konkrete ligjore dhe administrative për përmirësimin e aksesit në strehim, shërbimet e arsimit, shërbimet sociale dhe pjesëmarrjen në jetën publike të minoriteteve dhe komuniteteve të tjera në vend, përfshirë këtu edhe komunbitetin Egjiptian. Integrimin real të minoriteteve dhe komuniteteve të tjera në jetën e përditëshme,veçanërisht në strukturat qeverisëse në nivel vendor, apo atë qëndror.
5. Krijimin e kushteve për rritjen e mirëqënies në zonat ku banojnë minoritetet dhe komunitetet e tjera, përfshirë këtu edhe financimin me një buxhet më adekuat për njësitë e qeverisjes vendore, ku ka komunitete minoritare dhe komunitete të tjera, në një masë dalluese me pjesën tjetër të popullsisë mazhoritare.
6. Zhvillimin e një censusi të ri të popullsisë, mbi bazën e kritereve dhe standardeve më të mira ndërkombëtare, ku minoritetet dhe komunitetet e tjera do të gjenin veten për t’u shprehur objektivisht dhe pa rezerva për ekzistencën e tyre.
E pra, nëse vullneti i mirë politik dhe ai administrativ do të jetë i orientuar për t’i dhënë zgjidhje këtyre çështjeve, atëherë edhe shqetësimet e shprehura nga përfaqësuesit e komunitetit Egjiptian do të kishin marrë tashmë përgjigjen konkrete.
Duke shfrytëzuar rastin për të përshëndetur këtë ditë simbolike për komunitetin Egjiptian në Shqipëri, theksoj se, në trajtimin e çështjes së respektimit dhe promovimit të të drejtave të minoriteteve dhe komuniteteve të tjera në vend, duhet domosdoshmërisht që të fokusohemi në disa pika kryesore, që lidhen me; Mbrojtjen e ekzistencës së tyre; Mbrojtjen dhe promovimin e identitetit të tyre; Barazinë dhe jodiskriminimin; dhe të drejtën e pjesëmarrjes efektive në vendimmarrje, pra në jetën sociale dhe politike të shumicës.
Në këtë konsiderim dhe përpjekje të përbashkët, respekti ndaj të drejtave të minoriteteve dhe komuniteteve të tjera nuk është një privilegj që shteti dhe shoqëria jonë iu bën atyre, por një detyrim dhe një proces i natyrshëm që bazohet tek dinjiteti njerëzor dhe diversiteti, duke prezantuar kështu një “investim” madhor që një shoqëri i rezervon vetvetes për të ardhmen./a.m.