Pak orë pas referendumit britanik për daljen nga Bashkimi Europian, Javanews mori një intervistë me ministrin e jashtëm Ditmir Bushati. Ja përgjigjet e tij:
- Si e komentoni daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian? Sot kishte zëra në Francë e vendet nordike, për referendume të ngjashme në këto vende.
Rezultati i referendumit britanik është akti i fundit i një historie të vështirë të Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Europian. Them histori e vështirë pasi, që në krye të herës, pjesëmarrja e Britanisë në projektin europian ka qënë gjithënjë e veçantë, sui generis, gjithnjë në pararojë të debatit ekonomik dhe njëkohësisht skeptike për sa i përket integrimit të mëtejshëm politik. Le të mos harrojmë se për vite me rradhë Charles de Gaulle refuzoi të mbështeste anëtarësimin e Mbretërisë së Bashkuar në Komunitetin Ekonomik Europian.
Referendumi britanik është padyshim një akt demokratik, i cili vendos BE-në përballë sfidash të mëdha. Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE, është veçse një prej linjave ndarëse që trondisin aktualisht debatin politik në Europë, krahas krizës së refugjatëve dhe krizës së zonës euro që vijon të jetë shqetësuese.
Ekuacioni britanik ka ende shumë të panjohura ndaj dhe tani lipset shumë gjakftohtësi. Dëshira britanike për të dalë nga BE krijon vetëvetiu pikëpyetje edhe mbi modalitetet e bashkëpunimit të Mbretërisë së Bashkuar me tregun e përbashkët, bashkëpunimin me SHBA dhe ridimensionimin e NATO-s, si hapësirë kyçe e vendimarrjes perëndimore.
Procedura e daljes nga BE është e parashikuar në Traktatin e Bashkimit Europian ku Neni 50 përcakton fillimin e një procedure dy vjeçare negociimi për t’u dakordësuar mbi dy elementë thelbësorë: i) çfarë do të ndodhë në periudhën tranzitore deri në daljen nga Bashkimi Europian, 2) cilat janë modalitetet e bashkëpunimit pas shkëputjes nga BE.
Gjatë negociatave ligjet europiane do të vijojnë të jenë në fuqi në Mbretërinë e Bashkuar. Nëse brenda dy vitesh nuk gjendet dakordësi, atëhere të gjitha të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga anëtarësimi nuk zbatohen më, përveç rastit ku koha e negociimit mund të zgjatet me konsensus nga 27 vendet e tjera anëtare. Por zgjatja nuk duket se është në planet e vendeve të tjera kyçe të BE-së.
Gjithsesi, kalendari i aktivizimit të Nenit 50 do të varet edhe nga proceset e brendshme politike në Mbretërinë e Bashkuar, ku largimi i Kryeministrit Cameron, në tetor të këtij viti, ka krijuar një dinamikë të re. Lipset të shohim nga njëra anë impaktin ekonomik të BREXIT ku rol kyç do të luajnë vendimet e kompanive të mëdha që operojnë aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar, dhe nga ana tjetër reagimin e pjesëve pro-Europiane të Mbretërisë së Bashkuar si Skocia dhe Irlanda e Veriut.
Me pak fjalë jemi në një situatë tërësisht eksperimentale. Debati mbi këtë eksperiment të ri politik do jetë në epiqendër të samitit të arrdhshëm të BE-së në datat 28-29 qershor. Duhet të kemi parasysh se viti i arrdhshëm është një vit elektoral për vende kyçe si Hollanda, Franca dhe Gjermania, ku do të ketë padyshim debate të nxehta mbi të ardhmen e BE-së.
- Sa e prek kjo ngjarje perspektivën europiane të vendit tonë?
Perspektiva europiane e Shqipërisë lidhet fund e krye me interesat kombëtare të Shqipërisë, me modelin e mirëqeverisjes që synojmë t’i japim vendit dhe detyrën parësore për të siguruar mirëqënien e Shqiptarëve dhe rolin e tyre të patjetërsueshëm në rajon.
Sigurisht që ekuacioni Britanik do të ketë një impakt mbi debatin për zgjerimin e BE-së. Por në rastin e Shqipërisë, procesi i anëtarësimit varet kryesisht nga shpejtësia dhe cilësia e reformave tona. Ndaj dhe tronditja e shkaktuar nga BREXIT nuk duhet përdorur si pretekst për të mos përmbushur reformat kyçe, siç është reforma në drejtësi.
Ajo çka përbën prioritet për Shqipërinë është që të sigurojmë që të gjitha vendet të BE-së, përfshi Mbretërinë e Bashkuar, të qëndrojnë të angazhuara dhe të ndihmojnë axhendën euro-atlantike në rajon.
Mbretëria e Bashkuar ka pasur historikisht një rol të posaçëm, si një prej mbështetësve kryesorë të sigurisë dhe stabilitetit të rajonit. Ndaj largimi i saj nga BE përmban riskun e një zvogëlimi të interesit të Londrës për këtë kënd të Europës.
- Po agjenda e zgjerimit e BE a mendoni se do të preket nga vota britanike?
Sigurisht që rezultati i referendumit ndikon në të ardhmen e BE-së pasi përbën një argument për zërat euro-skeptikë në mbarë-kontinentin. Në rrafshin afat-mesëm, ky rezultat mund të krijojë precedentë në formën e referendumeve të tjera, çka mund të kufizojë edhe më tej kapacitetin e BE-së për të vepruar si një entitet i bashkuar.
Për momentin ka ende një konsensus pranë vendeve anëtare mbi domosdoshmërinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Detyra jonë është që të bëjmë gjithçka për ta konsoliduar këtë konsensus, nëpërmjet historive të suksesit, duke shfrytëzuar maksimalisht procesin aktual të reformës thelbësore në sistemin e drejtësisë, dhe duke ruajtur një pjesëmarrje dinamike në proceset lehtësuese të integrimit të rajonit siç është Procesi i Berlinit.
Është e vërtetë që BE-ja ka nevojë për kohë për të vendosur rregull në shtëpinë e saj, por nga ana tjetër BE-ja e tronditur nga ikja e një anëtari, mund të riangazhohet më fort për të thelluar dhe zgjeruar BE-në. Kjo për të dhënë një mesazh që projekti Europian, për të cilin zgjerimi ka qenë gjithmonë një nga themelet, vazhdon dhe është më i konsoliduar se më parë.