Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian ka sjellë reagime të shumta edhe në politikën shqiptare.
Deputetja e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet Mesila Doda, deklaroi në një postim në facebook se Brexit është një mësim për ne, të punojmë për një Shqipëri të vetme.
Ja postimi i plotë i Dodës:
Vendimi u mor. Britania është zyrtarisht jashtë. Nuk kish’ pranuar asnjëherë të ndryshonte monedhën e saj kombëtare, apo të futej në zonën Schengen duke dëshmuar qysh herët një distancë me rregullat e Bashkimit, por ishte padyshim fuqia morale, noterja siç e quanin e vendimeve të Europës.
Besoj se pikërisht këtu nis një shkallë e madhe moskuptimi i projektit europian. Ai që lindi si bashkim i popujve që ndajnë vlera të njëjta, paqe, solidariteti, respekti ndaj jetës, progresi e ndihme reciproke përfundoi në një ndërmarrje ekonomike të përbashkët, ku i pasuri u bë dhe më i pasur, i varfëri u vafërua dhe më shumë. Europa e sotme nuk ka asfare fytyrën që i kishin dhënë etërit e saj themelues. Ajo u katandis në një korporatë burokratësh njerëzish pa vizion e pa ide që nuk inspirojnë dot kërrkënd. Është pikërisht këtu kriza e sotme e projektit europian dhe nëse nuk ridimensionohen marrëzitë e pushtetit të mëdhenjve që e shohin Europën si lopë për ta mjelë, projekti bëhet nul.
Në këto kushte rikthehemi tek ato çka kemi përsëritur prej shumë kohësh. A do ndërtojmë një strategji kombëtare mbarëshqiptare NE? A do e kuptojnë më së fundi miopët vendimarrës se nuk shkojmë dot përpara me troje e popullatë shqiptare të copëzuar në feude? Një dhe vetëm një është zgjidhja. Një Shqipëri e vetme me 7 milionë shqiptarë, një monedhë kombëtare, Leku që duhet të fillojë urgjentisht nga përdorimi në gjithë hapësirën shqipfolëse, një program arsimor. Një komb, një shtet, një Shqipëri e vetme.
/a.m.