Ukraina kërkon të marrë trajnerin e Shqipërisë, Gianni De Biasi, për ta drejtuar skuadrën në kualifikueset e botërorit Rusi 2018. Italiani është nën kontratë me kombëtaren kuqezi për dy vitet e ardhshëm por ofertat nuk i mungojnë dhe nuk do të ishte çudi nëse largohet, nisur edhe nga deklaratat e Dukës se nuk do t’i bëhej pengesë në rast të një oferte të mirë.
La Gazzetta Dello Sport shkruan se Ukraina kërkon trajnerin italian, i cili te kjo kombëtare do të gjente terrenin ideal për stilin e lojës së tij, bazuar te mbrojtja e fortë dhe kundërsulmet e shpejta, por me aktorë më të zotë se në rastin e Shqipërisë.
De Biasit mund t’i jetë rritur oreksi pas pjesëmarrjes për herë të parë në finalet e mëdha, por në rastin e botërorit të ardhshëm shanset për Shqipërinë janë minimale, e gjendur në një grup me Spanjën e Italinë, çka mund të bëjë që edhe Duka të kërkojë një trajner më të lirë, ndërkohë që me Ukrainën shanset janë më të mira, me Kroacinë, Islandën e Turqinë në grup, edhe pse vetëm një skuadër kalon direkt.
Veç Ukrainës, në adresë të trajnerit ka oferta nga shumë klube, nga Gjermania, Anglia e Zvicra, por edhe nga Kina, prej nga vijnë gjithmonë shuma joshëse.
D.I.