Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, mori fjalën në Kuvend pas ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilit iu kundërvu në lidhje me ato çka deklaroi për miratimin e Reformës.
“Shqiptarët e dinë se kush nuk e do reformën. U tha këtu se opozita është përjashtuar nga procesi. Gënjeshtër e madhe. Opozita për 9 muaj nga koha e krijimit të komisionit për reformën në drejtësi, nuk ka marrë pjesë. Gjatë gjithë kësaj periudhe e ka penguar me lloj-lloj largimesh dhe justifikimesh. Asnjë reformë pa konsensus nuk qenka bërë në këtë vend. Dëshiroj t’i kujtoj dy ndërhyrje të mëdha për kushtetutën. Po ka një ndërhyrje e cila ne nuk na bën krenare, e 2008. Venecia e hodhi poshtë, tashti ka ca gënjeshtra që është keq kur fillon i beson edhe vetë. Kur të mbarojë ky proces le të bëjë një analizë kushdo, sesi ka qenë propozimet që kanë shkuar në Venecia dhe cili është drafti final”.
“U tha që opozita është përjashtuar nga procesi. Gënjeshtra më e madhe, opozita, deri më 2 korrik 2015, nëntë muaj pasi ishte formuar Komisioni, nuk ka marrë pjesë. Nga nëntori 2014 deri më 2 korrik 2015, opozita ka munguar. Jo vetëm, kaq, por gjatë kësaj periudhe e ka bllokuar me lloj-lloj justifikimesh. Edhe sot që po flasim e ka bojkotuar, sepse nuk merr pjesë në mbledhjet e komisionit”.
Xhafaj foli edhe për ndërhyrjet në Kushtetutë, duke pranuar gabimin e bërë më 2008.
“Ka dy ndërhyrje të mëdha lidhur me Kushtetutën. E para më 1998, kur opozita e sotme dhe e atëhershme nuk mori pjesë, nuk e njohu Kushtetutën e re të Republikës së Shqipërisë, atë Kushtetutë për të cilën sot betohet. Ka edhe një tjetër ndërhyrje, që nuk na bën krenarë, më 2008. Dhe sot nëse ka një gjë që ka dëmtuar themelet e shtetit është pikërisht ajo, sepse lëvizi ekuilibrat ndërmjet pushteteve”.
“Po turp keni? Nuk ndiheni keq nuk ndiheni ligësht nga kjo histori. Thoni me 3/5 e kap Edi Rama. Po mirë aritmetikë dini ju?”-deklaroi Xhafaj.
Kreu i komisionit për reformën në drejtësi theksoi se me këtë projekt drejtësia nuk është më çifligu i partive politike, por është pronë e qytetarëve shqiptarë, është pasuri e tyre, është pushteti i tyre. Ju kemi thënë ta bëjmë procesin e Vetingut. Kemi rënë dakord, me ne me partnerët ndërkombëtare që Vetingu do bëhet nen monitorimin dhe kontrollin e ekspertëve ndërkombëtarë”- u shpreh Xhafaj.
Bylykbashi tha se “Neni 88 thotë që 4 institucione të garantojnë një gjë, përfaqësimin e opozitës, kjo pasi Komisioni i Venecias e sheh si të vetmen garanci që ju të mos merrni kontrollin e drejtësisë”.
D.I.