Nga Valeria Dedaj / Shekulli
Aktori Genc Fuga gjatë gjithë 6-mujorit të fundit ka qenë prezent në skenën e teatrit tonë. Rolet që ka interpretuar në komedi janë të ndryshme, por kurrsesi nuk harrohen lehtazi, jo vetëm për humorin, por edhe për mesazhet që kanë përcjellë te spektatori. Megjithatë, si rrallëherë Genc Fuga në 10 shfaqje duhet të luante rolin e Vinsentit tek “Të gjithë me huqe”, me regji të Gëzim Kames, rol që para 7 vjetësh e interpretoi artisti i mirënjohur Roland Trebicka. Një detyrë jo e lehtë për të, sepse gjatë interpretimit të këtij roli, duhej jo vetëm të nderonte figurën e këtij artisti, por dhe të kujtonte batutat që kishte shkëmbyer me Trebickën, gjatë bashkëpunimeve të ndryshme. Fuga na tregon se skena e bashkoi me Trebickën edhe në jetën e përditshme, veçmas gjatë viteve të fundit të jetës së tij, vite të cilat për të nuk ishin të lehta. Gjithashtu aktori Genc Fuga prej 22 vjetësh jep mësim në Universitetin e Arteve, prandaj gjatë këtyre ditëve është duke punuar me studentët.
Zoti Fuga, sapo ka përfunduar prezantimi në skenë i dhjetë shfaqjeve nga komedia “Të gjithë me huqe”. Duhet të ketë qenë një përgjegjësi e madhe të vishje të njëjtin kostum, të cilin e ka veshur para 7 vjetësh aktori i ndjerë Roland Trebicka…
Vitet e fundit të jetës së Landit kemi qenë shumë afër bashkë, prandaj e pranova këtë rol. Nuk ishin vite të thjeshta për të, por nuk ishin vite të thjeshta as për mua. Krijimtaria, ishte një udhëtim i përbashkët, nga e cila ne krijuam afrimitet edhe në jetë. Nga disa iniciativa të Milto Kutalit (regjisor dhe pedagog në UA) që herët kam pasur bashkëpunime me Landin. Prandaj mund të them se: “Landin e kishim blerë ne të Akademisë së Arteve” (qesh). Shfaqjet i kemi zhvilluar në sallën e UA-së, por mund të them se ishte një bum i vërtetë përsa i përket numrit të spektatorëve. Kjo ndodhte gjithmonë me Landin. Në këtë rast mund të them një sekret. Është e vërtetë se përqendroheshim përpara shfaqjes, por njëkohësisht nuk harronim asnjëherë “të spiunonim” a ishin mbushur lozhat ose jo? Edhe lozhat ishin gjithmonë të mbushura. Ky ishte realiteti im me Landin. Një realitet që vërtet doja ta rikrijoja, por tashmë si një homazh ndaj kësaj figure të humorit shqiptar. Nuk hezitova të them po, që në momentin e parë, kur profesor Gëzim Kame ishte jashtëzakonisht shumë lakonik. Ai më tha: “Genc do të bëjmë këtë gjë për nder të Landit”. Nuk kishte shumë fjalë, sepse nuk kishte arsye.
Dhjetë shfaqje nuk janë pak, si jeni ndierë gjatë kësaj periudhe?
E vërteta është se puna për rolin e Vinsentit tek “Të gjithë me huqe”, në kujtim të mikut tim dhe të madhit Roland Trebicka, kishte nisur një muaj para se të fillonte shfaqja. Fillimisht u arrit të riformatohej grupi për këtë shfaqje, ku të gjithë u koordinuan me njëri-tjetrin. Jo vetëm roli im, por rolet e Viktor Zhustit edhe të Raimonda Bulkut, të cilët e kishin rol të përsëritur, punuan me të nga e para. Megjithatë, pesha binte mbi mua, Eriona Kakelin, Lulëzim Zeqjan, Arjola Bashon dhe Elia Zaharinë. Në pikëpamje didaktike roli ka qëllimet dhe veprimet e veta, por njëkohësisht dhe përshtatjet. Spektatori i shikon të tria këto elemente, pavarësisht se në këtë vepër bie në sy përshtatja me partnerin.
Megjithatë, bashkëjetesa me Landin, jo vetëm për mua, por për të gjithë kolegët nuk karakterizohet vetëm nga batutat e skenës, por jashtë skenës. Të gjithë ishim pjesë e kujtesës së madhe ndaj qëndrimeve dhe shakave të tij jashtë skene. Brenda në skenë ishim karaktere të ndryshëm, Landi ka pasur tjetër qasje ndaj karakterit dhe unë kisha një qasje tjetër. Është puna e aktorit që t’i japë jetë rolit të dhënë, qoftë edhe një aktori të stampuar tashmë në letër. Në këtë pikëpamje Landi ishte shumë i pranishëm gjatë provave tona. Përsa i përket interpretimit në skenë nisur edhe nga kolegët, shumica më kanë thënë se vetëm kostumi ishte i njëjtë.
Megjithatë, gjatë interpretimit përveçse disa veprimeve të njëjta, hera-herës dhe mimika juaj kishte ngjashmëri me të Trebickës…
E vërteta është se nëse bëhet fjalë për qëndrim unë nuk them se e kam transformuar atë si karakter, por në rast se karakteri do të thotë: Mirëmëngjesi. Mirëmëngjesi do të them edhe unë (qesh). Qëndrimet e një personazhi çojnë në disa mimika apo shpërfaqje të monologut të brendshëm, që thuajse duhet të ishin të njëjta, sepse janë të kushtëzuara nga dramaturgjia. Por, jam i kënaqur që u vu re, qoftë edhe kjo ngjashmëri. Nuk do ta harroj përqafimin me mall që pata me Violetën, bashkëshorten e Landit, por dhe me vajzën, Evisën dhe mbesën ditën e premierës.
Ky rol erdhi pas bashkëpunimit me Qëndrim Rijanin te komedia “Gënjeshtër pas gënjeshtër” në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Një tjetër rol me ngarkesë të madhe në skenë…
Realisht vija pas punës me Qëndrim Rijanin, e cila ka qenë shumë intensive, çuditërisht dhe ajo lineare, sepse nuk kishte flesh backe në të, por gjithçka ndodhte në skenë. Në momentet e lodhjes fizike gjatë punës bënim shaka me Mehmet Xhelilin dhe Sotiraq Bratkon, duke thënë: “Ku mi gjen ato role dramatikë, ku duhet të vësh dorën në kokë mendueshëm dhe të marrësh frymë qetësisht për të lëshuar një ahh”. Unë e dua komedinë, sepse kam një qasje personale ndaj saj. Më pëlqen humori ta perceptoj, konsumoj dhe prodhoj. Pata gjithashtu dhe një dalje te shfaqja “Ejani ku i dihet” në ambientet e UA-së. E vetmja gjë që do të thosha është se ka qenë një periudhë e gjatë aktive, rreth 6-mujore, për të cilën më erdhi keq, që nuk u shpërblye financiarisht, siç do të duhej në të gjitha drejtimet.
Ju keni punuar përreth 6 muaj për disa shfaqje, ku nuk u shpërblyet financiarisht ashtu siç do të kishit dashur. Por, gjatë kësaj periudhe jeni duke punuar me studentët tek Artet, sa optimistë i shihni këta të rinj rreth aktrimit?
Po bëhen 22 vjet që unë jap mësim. Është një gjë që fatmirësisht kam dëshirë ta bëj, sikundër kam dëshirë të bëj aktrimin dhe regjinë. Si janë brezat? Çdo brez ka ndryshim nga njëri tek tjetri. Çdo brez ka specifikën e tij. Por, a janë brezat kaq të talentuar? Kjo pyetje ha debat do të thoshte Artan Fuga. Të merrje operën fashiste për të krijuar Institutin e Lartë i Arteve ishte diçka e madhe. Ndërkohë që gjatë asaj kohe institutet studimore në rangë republike kishin vëmendjen maksimale të Ministrisë së Arsimit.
Çfarë ndodhi pas viteve ’90-të?! Thjesht kjo vëmendje na iku. Jo vetëm nga ana financiare, por edhe nga mediet vizive dhe të shkruara. Bëhet shumë luftë që të vendoset një artikull nga kultura në faqe të parë. Prandaj falënderoj gjithkënd që ka ardhur dhe ka ndjekur këtë shkollë, duke shprehur bindjen se këtu nuk trajnojmë vetëm aktorë apo regjisorë, sepse vet personalisht dua që të trajnoj qytetarë, që paguajnë taksat, që nuk shkaktojnë probleme në komunitet etj. Teatri është e vetmja fabrikë për prodhimin e qytetarit, jo vetëm si aktor dhe regjisor, por edhe si spektator. Është e vetmja pasqyrë ku mund të shihet shoqëria.
Çfarë “portreti” kanë studentët tani? A mund të ishte më i mirë?
Shumë herë më i mirë, por kjo është e vetmja që kemi. Prandaj duhet të trukojmë dhe zbukurojmë. Ne jemi make up-i i vetëm i shoqërisë. Ne prodhojmë qytetarët. U kuptua sot apo do të kuptohet nesër kjo gjë, ne do të ulërijmë gjithë ditën për këtë, derisa të na dëgjojnë.