Efektivi i Policisë së Tiranës tentoi të kryente vetëvrasje duke qëlluar veten pranë zemrës me armën e shërbimit, pas debatit me gruan.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, në zonën e Alliasit, kur polici 41-vjeçar Bashkim Çeça, sapo kishte mbërritur në shtëpi, pasi kishte mbyllur shërbimin.
Burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit thanë se Çeça, pas një debati me bashkëshorten, është futur në dhomën e gjumit dhe ka qëlluar veten me një plumb pranë zemrës, duke mbetur i plagosur rëndë. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin “Nënë Tereza” dhe mësohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Të njëjtat burime thanë se fillimisht u dyshua për një ngjarje aksidentale, duke mos e përjashtuar mundësinë që pistoleta mund të kishte bërë shkrepje të pavullnetshme, kur 41-vjeçari hiqte uniformën.
Por, nga hetimi ka rezultuar se nuk bëhej fjalë për ngjarje aksidentale, pasi shkrepja e armës duket se ka qenë e qëllimshme, nisur edhe nga fakti se plumbi ka kaluar shumë pranë zemrës.
Policia tha dje se në momentin që ka ndodhur ngjarja, në banesë ndodhej vetëm efektivi Çeça dhe e shoqja, e cila sapo ka dëgjuar krismën e armës, është futur në dhomë ku ka parë të shoqin të gjakosur.
HETIMI
Menjëherë ajo ka telefonuar në sallën operative, duke kërkuar edhe një ambulancë. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit nr.4 dhe efektivi i plagosur është dërguar në QSUT në gjendje të rëndë.
Burimet thanë se nisën menjëherë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Nga hetimet paraprake nuk rezultoi që 41-vjeçari të ketë pasur ndonjë problem që lidhet me detyrën, pasi edhe pozicioni i tij ishte më tepër si polic roje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Por, nga deklarimet që u janë marrë familjarëve, duket se motivi i kësaj ngjarjeje lidhet më shumë me problemet familjare që ka pasur 41-vjeçari.
Më i fundit duket se ka qenë ai i djeshmi, kur Çeça sapo ka shkuar në shtëpi, ka debatuar me bashkëshorten. Ende nuk dihet saktësisht se për çfarë arsyeje ka ndodhur ky debat, pasi e shoqja nuk ka qenë në gjendje t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të oficerëve të Policisë, për shkak të gjendjes të rënduar të bashkëshortit. Megjithatë, burimet thanë se vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe motivit të ngjarjes.
Panorama/d.i.