Ndërsa zyrtarisht policia njoftoi dje se kishte arrestuar Vladimir Gjutën për shkelje të arrestit shtëpiak dhe dhunë në familje, kjo e fundit ka reaguar.
Duke këmbëngulur se nuk është ushtruar dhunë ne familje, i ati, Ferit Gjuta tregon për Top Channel se shkak për shkeljen e arrestit është bërë një festë familjare.
“Jam pak i inatosur tani, ne s’kishim qejf të vinte policia sepse unë e njoftova vetë, se djali kishte shkelur arrestin e shtëpisë dhe firmosa. Kur shkoj te shtëpia u them se kam firmosur. Çfarë ke bërë, paske firmosur për dhunë, më thonë. Çfarë dhune, u thash, ju ishit aty, nuk pati dhunë”, tregon Gjuta.
Pas problemeve që pati me drejtësinë si person nën hetim për dosjen e tritolit, çështje e cila u pushua, Vladimir Gjuta do të dalë sërish për masë sigurie.
Por nga ana tjetër, pas letrave të përcjella nga policia, gjykata civile ka shpallur datën 22 qershor si ditën kur do të shqyrtojë padinë për urdhër mbrojtjeje ndaj Ferit Gjutës, padi për të cilën ai shprehet se nuk ka dijeni.
“Të jetë diçka e vërtetë, edhe e kapërdin njeriu, por unë jam 80 vjeç. Të thuash e ka dhunuar babain… Nëse ka dhunuar një baba tjetër, le ta gjëjë policia atë, ata e dinë. Por mua jo”, ka thënë Gjuta./a.k