Pas lajmit se kreu i grupit parlamentar të PS Gramoz Ruçi i ka kërkuar përmes një letre kryeparlamentarit Meta, futjen e draftit të reformës në kalendarin e kuvendit, ka reaguar PD përmes Edi Palokës. Kreu i grupit parlamentar të PD e cilëson këtë kërkesë si një provokim të rëndë ndaj opozitës dhe si një tentativë për të kapur drejtësinë, një fakt që për demokratët ndodh nëse maxhoranca nuk pranon rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias.
“Kërkesa për të futur në kalendarin e Kuvendit projektin për kapjen politike të gjyqësorit është një provokim i rëndë ndaj opozitës, parlamentarizmit dhe qytetarëve shqiptarë që nuk mund ta konceptojnë kurrë reformën e domosdoshme në drejtësi si një dorëzim peshqesh të drejtësisë tek Edi Rama. Rruga e vetme për miratimin e Reformës në Drejtësi që nuk mbron por lufton krimin dhe korrupsionin është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Venecias. Cdo akt tjetër është shpallje lufte ndaj opozitës, parlamentit dhe aspiratës popullore për drejtësi të pavarur. Dhe fundi i kësaj betejë padyshim nuk do të jetë fitorja por shkrumbimi i oligarkisë kriminale dhe të korruptuar të Edi Ramës.”- shkruhet në reagimin e Palokës.