Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovic nënshkruan në qytetin verior të Serbisë, Suboticë, një deklaratë me gjashtë pika për përmirësimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura midis dy vendeve.
Sipas pikës së parë të deklaratës, dy vendet duhet të fillojnë ose përshpejtojnë procese që kanë për qëllim përmirësimin e mbrojtjes dypalëshe të minoriteteve, ato serbe në Kroaci dhe ato kroate në Serbi, të bazuar në marrëveshje ekzistuese.
Pika e dytë përcakton fillimin e menjëhershëm të negociatave midis komisioneve shtetërore për përcaktimin e vijes kufitare midis Serbisë dhe Kroacisë sipas ligjit ndërkombëtar.
Sipas dokumentit, dy vendet nuk kanë pretendime territoriale dhe në rast se bisedimet dypalëshe dështojnë pas një kohe të arsyeshme, dy shtetet janë të përgatitura të kalojnë konfliktin territorial në institucione ndërkombëtare gjyqësore.
Pika tre konstaton se Serbia dhe Kroacia janë të pergatitura për të përshpejtuar implementimin e marrëveshjes të nënshkruar me 29 qershor të vitit 2001 në Vjenë.
Deklarata konfirmon se të dy vendet janë dakord se kërkimi i personave të zhdukur është çështje humanitare me prioritet dhe se të dy vendet do të bëjnë përpjekje maksimale për gjetjen e tyre.
Gjithashtu dy vendet janë zotuar se do të punojnë në mënyrë të përkushtuar dhe të koordinuar mbi luftën kundër terrorizmit dhe mbi krizën e refugjatëve.
Së fundmi, Kroacia dhe Serbia deklaruan gatishmëri për të punuar në mënyrë të përkushtuar në projekte të përbashkëta për zhvillim në Bashkimin Evropian dhe ato ndërkufitare./a.m.