Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, zhvilloi një vizitë në Hungari, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto.
Dy Ministrat rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë e Hungarisë dhe shprehën vullnetin për t’i intensifikuar ato më tej, duke u fokusuar në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare, me qëllim thithjen e investimeve hungareze në tregun shqiptar.
Palët vlerësuan trendin pozitiv të rritjes së shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve gjatë viteve të fundit dhe shprehen angazhimin për të punuar në shfrytëzimin e potencialit të lartë ekzistues. Referuar bashkëpunimit dhe intensifikimit të këtyre shkëmbimeve, Ministrat vlerësuan rivendosjen e linjës ajrore direkte Tiranë-Budapest e cila do të ndodhë brenda këtij viti, duke shprehur bindjen mbi ndikimin e saj në nxitjen e bashkëpunimit dypalësh, në të gjitha fushat.
Ministri Bushati e njohu kolegun hungarez me kursin e reformave për 5 prioritetet kyçe të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, përfshirë reformën në drejtësi, si një reformë me rëndësi të jashtëzakonshme për forcimin e shtetit ligjor në vend dhe me impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve shqiptarë, sundimin e së drejtës në ekonomi, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe radikalizmit.
Ministri Szijjarto shprehu mbështetjen e vazhdueshme dhe të pandryshueshme të Hungarisë për procesin e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në rrugëtimin evropian të vendit, duke ofruar në të njëjtën kohë ekspertizën hungareze në këtë proces.
Ai theksoi se “Hungaria mbështet hapjen e menjëhershme dhe pa vonesa të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë, pasi procesi i integrimit evropian është thelbësor për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”.
Referuar zhvillimeve më të fundit në rajon, Ministrat u ndalën tek rëndësia e forcimit të bashkëpunimit rajonal, i cili ka marrë në shtysë të re në kuadër të Procesit të Berlinit. Ministri Bushati vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vendeve të Grupit të Vishegradit, përfshirë Hungarinë, në krijimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor me seli në Tiranë sipas modelit të Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit, duke nënvizuar rëndësinë e fillimit sa më parë të aktivitetit të tij, si dëshmi konkrete e bashkëpunimit rajonal.
Ministri i Jashtëm hungarez Szijjártó u ndal tek roli i Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s në rajon, duke siguruar homologun shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Në kuadër të kësaj vizite, Ministri Bushati mbajti edhe një fjalë në Institutin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Hungarisë, me temë: “Integrimi evropian i Shqipërisë dhe bashkëpunimi rajonal” . Ministri iu përgjigj interesit të të pranishmëve mbi çështje që lidhen me zhvillimet më të fundit në rajon, rolin e politikës së jashtme shqiptare dhe ecurinë e proceseve integruese të rajonit.