Anjeza Shabani, drejtoresha e kopshtit “Diren” që u filmua duke rrahur fëmijën 3-vjeçar, ka dëshmuar në polici për ngjarjen. Gazeta Panorama, e cila ka zbardhur dëshminë e administratores, shkruan se ajo ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe qante pa pushim.
Para Policisë ajo mësohet të ketë thënë se emisioni “Stop” nuk e ka shfaqur videon e plotë. Shabani pranoi se e ka dhunuar fëmijën, por videoja sipas saj nuk tregon të vërtetën.
“Videoja është prerë, nuk është e plotë. Unë pasi e qëlloja edhe e kam përqafuar fëmijën. Por ai përsëri nuk pushonte. Unë nuk e dija që fëmija ishte autik. Nuk më kishin thënë. Po të shihni videot e plota shihet që unë e kam puthur dhe përqafuar disa herë”, tha ajo para Policisë duke shpërthyer në lot. Anjeza Shabani rrezikon tashmë deri në 20 vjet burg për akuzat në fjalë.
BW/d.i.