Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare miratoi të martën ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Malit të Zi, ndërsa punimet u drejtuan nga kryetari Spartak Braho që për arsye shëndetësore ka munguar për një kohë të gjatë.
Ky dokument i rëndësishëm i Aleancës, i nënshkruar më 19 maj gjatë Ministerialit të Jashtëm të NATO-s, pritet të ratifikohet nga parlamentet e 28 vendeve anëtare dhe nga parlamenti malazez.
Kjo do t’i hapte rrugën pranimit të Malit të Zi, si anëtari i 29-të i organizatës më të madhe ushtarake në botë.
Ratifikimi i këtij protokolli është një hap i rëndësishëm i Aleancës për të zgjeruar rrethin e shteteve anëtare dhe zonën e saj te sigurisë.
Në rrafshin politik, anëtarësimi i Malit të Zi është në zbatim të plotë të politikës së “Dyerve të hapura” dhe po ashtu përben një shembull të qartë të parimit demokratik se çdo shtet sovran ka të drejtën e pakundërshtueshme për të zgjedhur në mënyre të lirë aleancat e veta.
Ndërsa në aspektin e sigurisë, ky anëtarësim ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen e sigurisë në hapësirën euro-atlantike. Njëkohësisht, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO rrit sigurinë rajonale, redukton më tej “njollat gri” në këtë dimension të rëndësishëm dhe ndikon në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Hyrja e Malit të Zi në Aleancë do të ndikojë gjithashtu në pakësimin e influencës të vendeve të treta në rajonin tonë. (java /r.a)