Ngjarja e rëndë e dhunimit të një fëmijë 3-vjeçar nga administratorja e kopshtit privat “Diren”, Anjeza Shabani është shoqëruar me reagime të shumta në rrjetet sociale nga qytetarë, figura të njohura dhe prindër.
Fëmija 3 -vjeçar është rrahur barbarisht nga administratorja (pronare) e kopshtit privat “Diren”, Anjeza Shabani që ndodhet në Sauk.
Pamjet shokuese janë transmetuar mbrëmë në emisionin ‘Stop’, në TV Klan. Ky emision investigoi rastin, pasi babai i fëmijës kishte denoncuar me fakte se fëmija i tij dhunohej. “Nuk kam dyshime, kam bindje se djalin ma kanë rrahur”, tha babai në një intervistë për ‘Stop’.
Pas fotove që babai ka paraqitur në stafin e emisionit ka nisur edhe puna për të zbardhur ngjarjen. Është arritur nga stafi i Stop-it të vendoset një kamera, ku është filmuar dhuna makabre ndaj fëmijës.
“Kjo është vetëm një ditë”, tha Saimir Kodra teksa pasqyronte kronikën, duke lënë të kuptohet se dhuna ka qenë e vazhdueshme në këtë institucion privat për rritjen e fëmijëve.
Deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, njëkohësisht e njohur për mbështetjen në mbrojtje të të drejtave të grave dhe fëmjiëve, përmes reagimit të saj, kërkoi publikimin e të gjithë listës së çerdheve dhe kopshteve si dhe kartelat personale të edukatorëve.
“Inspektoriati Shtetëror i Arsimit duhet të bëjë menjëherë publike listën e çerdheve, kopshteve, cv-të e pronarëve, edukatoreve, kartelat e tyre personale, çertifikatat mjekësore, vlerësim permanent nga një grup mjekësh, psikiatrish e psikologësh. Dokumentat për dhënien e heqjen e licensave sidomos kur bëhet fjalë për institucione arsimimi apo përkujdesje, si dhe vlerësimi periodik duhet të jenë publike”, shkruan Bregu.
Moderatori i njohur Ardit Gjebrea propozon vendosjen e kamerave në çerdhe dhe kopshte. “Pas asaj që pashë, më lindi natyrshëm pyetja: A duhen vendosur kamera në çerdhe e kopshte?
“Nëse do ishte në dorën time, në çdo çerdhe apo kopësht publik do të vendosja kamera, dhe çdo biznes privat të këtij lloji do ta detyroja t’i vendosnin, ndryshe – drynin. Çdo prind duhet të ketë akses të kontrollojë fëmijën e tij në kohë reale. Këto raste duhet të shërbejnë për reflektim te thellë dhe marrje masash urgjente”, shkruan Gjebrea.
Po ashtu, më herët Institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar përmes një raporti se dhuna fizike dhe psikologjike egziston nëpër jetimore. Ky raport ka ardhur pas inspektimit të 9 qendrave rezidenciale të mbajtjes së fëmijeve jetimë. Këtë raport AP do t’a dorëzojë në Kuvend. Kohët e fundit janë denoncuar mjaft raste të dhunimit të fëmijëve.