Krahas reformës në drejtësi dhe lufta ndaj krimit, një nga kërkesat kryesore të Bashkimit Europian për autoritetet shqiptare është edhe kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës së pronës. Partia Demokratike e opozitës i ka kërkuar Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që të vazhdojë të zgjidhë me përkushtimin e deritanishëm proceset gjyqësore të shtetasve shqiptarë për pronat e rrëmbyera nga regjimi komunist.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i shkroi Presidentit të Gjykatës, Guido Raimondi, se kryeministri Edi Rama ka deklaruar në parlament që ka arritur një marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut për të mos shqyrtuar më çështje të pronave të shtetasve shqiptarë kundër qeverisë. Basha theksoi se kjo deklaratë e kryeministrit është presion i hapur ndaj Gjykatës Kushtetutese të Shqipërisë përpara vendimit të saj për ligjin e ri të pronave dhe dëmton besueshmërinë e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ai theksoi se në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut nuk parashikohet që njëra palë të arrijë marrëveshje me Gjykatën në favor të saj përpara shqyrtimit të çështjes.
PD mendon se ligji i ri për trajtimin e pronave është ligji i shpronësimit të dytë të pronarëve. Ligji i ri u padit si anti-kushtetues në Gjykatën Kushtetuese ndërkohë që qeveria e paraqiti atë në Gjykatën e Strasburgut si një bazë të re ligjore me të cilën trajtohet në Shqipëri çështja e pronave. Organizatat e pronarëve kanë kërkuar dialog me qeverinë lidhur me mënyrat e zbatimit të ligjit të ri, të cilin ata e kanë paditur si anti-kushtetues. Formula e re, pohojnë ata, ul vlerën e pronave të tyre nga 20 deri 100 herë.
Sipas tyre, paradoksal është edhe fakti se qeveria ligjëron ndërtimet e paligjshme në pronat e tyre dhe nuk u kthen atyre pronën e ligjshme. Por qeveria është shprehur se ligji i r synon të zgjidhë në mënyrë përfundimtare dhe realiste çështjen e pronave në Shqipëri, si një pengesë e madhe për ekonominë këto 20 vjet. Sipas saj, komisione të ndryshme kanë marrë vendime të pamundshme për t’u zbatuar, që kanë shtuar më shumë konfliktet dhe paqartësitë.
Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim ligjin e ri, por nuk vendosi të pezullojë zbatimin e tij nga qeveria.
ma.me