Partia Demokratike, me anë të një deklarate të Sekretarit për Zgjedhjet, Ivi Kaso, ka deklaruar se “Edi Rama nuk ka ndërmend të largohet nga vëllazëria e krimit, përkundrazi po e thellon lidhjen me ta, duke i siguruar Rroshit daljen nga qelia dhe duke u dhënë zemër banditëve të tij të shtijnë me armë në mes të qytetit ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë”, duke iu referuar plagosjes së 3 personave në Kavajë, ditën e premte.
“Ndërsa kjo ngjarje e rëndë ndodh dhe autori është nënkryetari i tij i partisë në Kavajë, i cili ikën nga skena e krimit me ndihmën e kryetarit të partisë së tij në Kavajë, Edi Rama jo vetëm nuk thotë një gjysmë fjale, jo vetëm nuk distancohet, por u jep gajret, mbështetje e përkrahje dhe vendos policinë në dispozicion të tyre. Kjo është një shkelje syri që Edi Rama u bën gjithë banditëve nën armë që ka në gjithë vendin, duke u treguar se është me ta, duke u treguar se ata gëzojnë plotësisht mbështetjen e tij. Duke u treguar se vëllazëria e krimit është në fuqi”, theksoi Kaso.
“Edhe pse i dënuar në Itali për përdhunim në grup, edhe pse ka përdorur 5 emra për krimet e tij të ndryshme në Europë, edhe pse DEA amerikane e ka kërkuar për trafik droge e pastrim parash, Edi Rama vazhdon ta mbrojë me fanatizëm Rroshin e tij. Ende, Edi Rama nuk ka lëshuar një firmë për shkarkimin e Rroshit, kur faktet e të kaluarës së tij kriminale i di sot çdo shqiptar. Ai ka ende kryetar partie në Kavajë një të dënuar për drogë dhe ka edhe sot që flasim nënkryetar partie në Kavajë autorin e plagosjes së trefishtë, dy ditë më parë. Njerëzit presin një reagim, socialistë, të majtë e të djathtë janë të neveritur e të revoltuar dhe Edi Rama thotë se Arrigo Saki i ka nisur një mesazh. Ky poshtërim që po u bën Edi Rama qytetarëve me bandat e tij të armatosura po kthehet në kosto shumë të lartë, dhe shefi i rilindjes duhet të përgatitet ta paguajë shtrenjtë këtë faturë”, shtoi Kaso në deklaratën e tij.
D.i.