Trajneri i Rumanisë, Anghel Iordanescu ashtu si Gianni De Biasi i kanë mbetur peng rastet e humbura dhe mungesa e fatit në dy ndeshjet e para të Grupit A kundër Francës dhe Zvicrës.
Në konferencën e shtypit përpara takimit të Lyonit, trajneri rumun fillimisht tha se Rumania ka luajtur si e barabartë si me Francën ashtu edhe me Zvicrën, por rastete krijuara nuk u finalizuan në gola. Në vijim, ai e cilësoi Shqipërinë një skuadër të mirë dhe mori shembull ndeshjen e Marsejës ku kuqezinjtë rezistuan për 89 minuta
“Jam i sigurt se Shqipëria do të japë maksimumin për të arritur fitoren e parë por edhe në duam të bëjmë një ndeshje të mirë por duhet të jemi konstantë për 90 minuta. Skuadra duhet të kontrollojë ndeshjen, me pak fjalë, duhet të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë. Po kalojmë një moment delikat me tre lojtarë, por nuk mund të flas nëse do të jenë ose jo të gatshëm. Ne të gjithë dëshirojmë të luajmë më shumë se këto 90 minuta në europian, ky është objektivi ynë i vetëm”.
Më tej ai flet edhe për mundësinë e kualifikimit me vetëm dy pikë, duke u shprehur se një hipotezë e tillë është e pamundur.
“Shpresoj që skuadra të kuptojë se duhet të japë gjithçka për t’u kualifikuar. Me dy pikë nuk do të arrijmë t’ia dalim mbanë.
Djemtë duhet të kuptojnë se kjo është mundësia më e mirë që ka gjenerata e tyre. Ky është një rast që të vjen vetëm një herë në jetë dhe ne duhet të jemi shumë të vendosur për t’ia dalë mbanë. Duhet të ushtrojmë sa më shumë presion, të jemi agresivë dhe të përqendruar për 90 minuta”.
Në fund, trajneri rumun shtoi se ditët në dispozicion të skuadrës për të përgatitur sa më mirë ndeshjen e tretë të grupit nuk kanë mjaftuar dhe fakti që programi stërvitor ndryshoi gjatë orëve të fundit, e ka vendosur në vështirësi.