Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci të Qëndrueshme paraqiti sot raportin e pjesshëm mbi vëzhgimin dyjavor të procesit zgjedhor, të përgatitur nga 90 vëzhgues afatgjatë në të 90 zonat e administrimit zgjedhor.
Sipas raportit, komisionet zonale dhe qendrat e votimit janë ende shumë prapa me përgatitjen e zgjedhjeve. Nga 90 Komisione Zonale, 11 prej tyre janë vendosur në objekte shtetërore, që nuk parashikohen nga Kodi Zgjedhor.
Një e treta e komisioneve zonale nuk kanë marrë ende buxhetin dhe materialet e punës. Komisionerët po i mbulojnë vështirësitë me shpenzimet e tyre personale.
Më tepër se gjysma e komisioneve kanë të paktën një mungesë në materiale, në buxhet dhe në trajnime. Komisionerët e partive politike zëvendësohen shpesh, duke humbur trajnimet që ata kanë marrë.
Pothuaj të gjithë komisionerët janë punonjës me kohë të plotë dhe kanë pak hapësirë t’u përkushtohen komisioneve zonale.
Në 25 komisione vendimet merren me telefonata dhe mbledhjet kryhen jashtë mjediseve të caktuara, mbledhjet nuk po i bëjnë mbledhje publike sipas ligjit, dhe nuk po lejojnë të futen aty vëzhguesit.
Në 36 komisione zonale u shkel afati për krijimin e komisioneve të votimit, në 28 prej tye partitë dorëzuan me vonesë emrat e komisionerëve.
Ndërsa afati për krijimin e komisioneve të qendrat e votimit u shkel në 11 komisione zonale. Gjithsesi u arrit që 30 për qind e grave të bëhen komisionere, 14 janë kryetare, 19 zv.kryetare dhe 22 sekretare.
Partitë e nisën fushatën para afatit, megjithatë ajo deri tani ka qenë e qetë dhe e rregullt. Premtimet e partive u përkasin më tepër zgjedhjeve parlamentare se sa atyre vendore, sepse po bëhen premtime në nivel qendror.
Një mungesë e ndjeshme është se komunitetit rom dhe egjiptian nuk po kushtohet kujdes. Ata nuk mund të votojnë sepse nuk janë regjistruar në gjendjen civile. Nga ana tjetër, pothuaj asnjë kandidat nuk ka shkuar për tubime zgjedhore pranë tyre.
Vëzhguesit njoftuan se në partitë politike i bënë presion administratës qendrore dhe vendore, studentëve dhe punëtorëve për të marrë pjesë në fushatën zgjedhore.
Sipas raportit, në 10 raste administrata qendrore dhe vendore ka mbështetur kandidatë gjatë orarit të punës, Madje ka raste si Pogradeci ku punonjësit e institucioneve shtetërore lanë punën gjatë orarit zyrtar dhe iu drejtuan zyrave elektorale të partive politike.