Trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka dhënë një intervistë të gjatë për “La Gazzetta Dello Sport” ku ka folur për eksperiencën e deritanishme në Europian. Trajneri ka folur për ndeshjet ndaj Zvicrës e Francës, pengjet që ka për ato sfida, ofertat që ka marrë si dhe dëshirën për të qëndruar te kuqezinjtë.
De Biazi ka shpjeguar se çfarë ndodhi në Lens përballë helvetëve. “Në 15 minutat e para ndaj Zvicrës as nuk ishim në fushë dhe kaluam në disavantazh. Pastaj me 10 lojtarë kemi bërë një ndeshje shumë të bukur, kurajoze. Barazimi do të kishte qenë i merituar. Kemi bërë shumë gabime para portës, ndonëse na mungon një penallti. Kam hyrë në dhomat e zhveshjeve duke ulëritur: Atëherë, jemi në Europian, a duam të marrim pjesë apo duam të bëjmë sehir?. Aty djemtë u çliruan dhe gjetën shpirtin e zakonshëm”.
Pengjet më të mëdhenj, trajneri i ka për sfidën me Francën ku Shqipërisë i iku nga duart një pikë historike. “Franca? Kam dy pengje në një ndeshje ku jemi treguar shumë të zotë, duke i lënë shumë pak mundësi një kombëtareje të mbushur me talente. I pari: do të kisha dashur të bëja zëvendësime të ndryshme, të vendosja një sulmues të shpejtë për të shqetësuar mbrojtjen e tyre, të mundoheshim të fitonim. I dyti është që Rami bëri krosimin e jetës së tij. Nëse e riprovon, 9 herë në 10 e dërgon topin mes krahëve të portierit tonë. Pastaj ne u treguam të paaftë që të mos mbulonim Grizman, por gjithçka fillon nga Rami…”.
Trajneri falënderon shqiptarët për mënyrën se si po e trajtojnë. “Po, diçka fantastike. Të rrëqethet mishi. Nuk arrij ta shpjegoj me fjalë se si na trajtojnë. E përdor numrin shumës pasi meritat duhen ndarë me asistentin tim, Paolo Tramezanin. Tanimë mund të quhemi zyrtarisht një çift”.
Nuk mungon pyetja për të ardhmen e tij dhe të Tramezanit, i cili ka marrë një ofertë nga Lugano. “Paolo më tha menjëherë për ofertën e Luganos. Jemi të përqendruar vetëm te Shqipëria dhe Europiani. Më pas? Kemi edhe dy vite të tjera kontratë, nuk shoh arsye pse të ndryshojmë. Bëjmë më të mirën nëse punojmë bashkë, kompletohemi njëri me tjetrin. Paolo është i ri, do të ketë kohë të udhëtojë i vetëm. E megjithatë fakti që na kërkojnë do të thotë se Shqipëria është në duar të sigurta. Më kërkonin edhe dy kombëtare të tjera. Por në Shqipëri kemi letër të bardhë dhe mund të vazhdojmë në projektin në të cilin besojmë. Derisa të jenë këto kushte, ne nuk do të ndryshojmë”, ishte premtimi i De Biazit.
Ai ka rikujtuar edhe momentet pas ndeshjes me Francën. Dhe si djemtë i motivoi një i ftuar i veçantë. “Ishin të vështira për t’u kapërdirë. Por kur djemtë panë të vinte në grumbullimin tonë edhe presidenti i Federatës Franceze për të na bërë komplimentet, gjendja ndryshoi. Rumania është misioni ynë. Emocione? Edhe 60 vjeç mund të përmallesh. Por një gjë më ka shqetësuar. Po ndiqemi hap pas hapi, më duket sikur jemi në burg. Futbolli duhet të jetë një festë por ekzistojnë idiotët e zakonshëm. Shqipëri-Zvicër përkundrazi ishte një ditë fantastike: tifozëritë përkrah njëra-tjetrës në stadium e pastaj për darkë së bashku. Por kjo ndoshta nuk përbën më lajm”.
Në fund, edhe parashikimet për turneun. “Ka shumë ekuilibër. Italia? E kam parë në gjendje të mirë. Konte është një mjeshtër për të përshtatur ekipin në bazë të kundërshtarit. Pastaj me atë mbrojtje, gjithçka është e mundur”./Panorama/a.r.