Një marrëveshje bashkëpunimi që ka në qendër çështjen çame është nënshkruar sot mes PDIU-së dhe shoqatës “Çamëria”. Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, deklaroi se në përvjetorin e 71 të gjenocidit çam do të bëjmë drejtësi përfundimtare për viktimat e saj.
“Ditë e veçantë dhe historike jo vetëm për komunitetin çam. Në përvjetorin e 71 të gjenocidit çam do të bëjmë drejtësi përfundimtare për viktimat e saj. Ne sot nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi. Kjo do të thotë se PDIU është më e fortë dhe shoqata ‘Çamëria’ është më e fortë”, tha Idrizi.
Idrizi shtoi se falë shoqatës “Çamëria” dhe PDIU-së, çështja çame u rikthye në axhendën diplomatike të Shqipërisë dhe Greqisë.
“Vetëm pak ditë më parë ndodhi një takim Kocias-Bushati. Ne bashkëpunues diplomatik, treguam që ekzistojmë dhe që çështja çame ekziston. Qarqe të caktuara kanë riprodhuar vazhdimisht tezën greke duke përcjellë qëndrime diplomatike greke, duke thënë se çështja çame nuk ekziston. Po unë jam i bindur se sot ka ndodhur diçka historike. Falë shoqatës ‘Çamëria’, deri në 2005-n, dhe PDIU-së, e rikthyem çështjen çame në axhendën diplomatike të dy vendeve. Shkoni lexoni protokollet dhe do të shihni se pas vitit 1996 kjo çështje është përmendur fare pak. Falë fuqisë sonë, zgjerimit tonë, ne e kthyem në axhendë e bëmë pjesë të saj. Kurrë shqiptarët nuk kanë qenë më të fortë dhe më afër Perëndimit se sot”, deklaroi ai.
ma.me