Megjithëse e mohon rregullisht sa herë ia përmendin, Berisha vazhdon të kalojë shumë kohë në vilën luksoze përballë detit në Gjirin e Lalzit.
Banorët e paktë të qershorit dhe vizitorët e fshatit turistik Lura mund ta shohin ish-kryeministrin të shëtisë çdo pasdite vonë rreth orës 20.00 pak metra larg brezit të rërës.
Këto foto të dërguara nga një lexues në redaksinë e DITA-s, tregojnë deputetin që dikton ende qëndrimet e PD-së duke ecur sot pasdite pranë vilës së tij në vijën e parë të vilave të fshatit turistik.
Në momentin e fotografimit doktor Berisha dhe bashkëshortja Liria janë duke kaluar përballë vilës së Ilir Metës, goxha më modeste se shtëpia e madhe, e bardhë dhe e rindërtuar e Berishajve, e vetmja në fshat që del mbi kurorën e pishave.
Berisha shihet madje që duke ecur disa metra përpara gruas, ka kthyer kryet nga oborri i banesës së ish-aleatit të tij, sot në koalicion me rilindasit.
Fshati Lura në Gjirin e Lalzit afër kepit të bukur të Rodonit njihet si vendqëndrimi veror i shumë personazheve të politikës, biznesit dhe medias./a.m.
Dita