Pas arritjes së marrëveshjes për transferimin te Astra Giurgiu, Kristi Vangjeli pozoi edhe me fanellën e skuadrës së re. 30-vjeçari do të vazhdojë karrierën te kampionët e Rumanisë, me të cilët do të marrë pjesë në turin e tretë kualifikues të Champions League.
Në këtë mënyrë, mbrojtësi mbyll zyrtarisht aventurën te Skënderbeu, ku mbrojti ngjyrat e korçarëve për dy sezone, duke fituar edhe dy tituj kampionë. Pas transferimit në Ligën e Parë rumune, Vangjeli publikoi edhe një mesazh të hapur për klubin e Skënderbeut dhe tifozët.
Ai theksonte se “pas një periudhe dy vjeçare të mbushur me suksese, triumfe dhe momente të paharueshme” duhej të largohej nga “ekipi që më rriti dhe më bëri të më rrahë zemra më fort se kurdo herë më parë”.
Vangjeli kishte falënderime për shokët e ekipit, presidentin Takaj, trajnerin, të gjithë personat që punojnë pranë klubit, pa harruar edhe tifozët.
30-vjeçari e cilësoi transferimin te kampionët e Rumanisë, si një kalim të realizuar për arsye familjare dhe ekonomike, ndërsa shprehu besim se Skënderbeu do të vazhdojë të dominojë futbollin shqiptar dhe të befasojë në kupat e Europës.
Astra Giurgiu Do të jetë klubi i katërt në karrierën e Kristi Vangjelit, që përpara Skënderbeut ka mbrojtur ngjyrat e grekëve të Arisit të Selanikut dhe ukrainasve të Chornomorets Odessa. Ish-mbrojtësi i Kombëtares bëhet lojtari i katërt që largohet nga kampionët e Shqipërisë, pas kapitenit Shkëmbi që u tërhoq nga futbolli, Renato Arapit që iu bashkua Partizanit dhe Bekim Dema i cili u transferua te Kukësi.
SS/d.i.