Ka përfunduar takimi mes ambasadorit amerikan, Donald Lu dhe kreut të PD, Lulzim Basha. Biseda mes tyre mësohet të ketë zgjatur rreth 60 minuta ndërsa në fokus ka qenë votimi nga ana e opozitës të draftit kushtetues të Reformës në Drejtësi.
Ndërkohë, burime nga PD bëjnë të ditur se Lulzim Basha u ka kërkuar takim disa ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Mësohet se takimet do të jenë kokë më kokë ndërsa ato do të përmbyllen brenda 3 ditëve. Në thelb do të jetë sqarimi i nenit 88 të Venecis mbi të cilat PD ka pretendimet e saj dhe po mban peng votimin e draftit.
***
Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë është parë mëngjesin e sotëm në dyert e selisë blu. Burime nga terreni njoftojnë se Donald Lu ka takuar kryedemokratin Lulzim Basha, ndërsa në thelb të bisedave mësohet të jetë reforma në Drejtësi.
Kjo mund të konsiderohet si një nga përpjekjet e fundit për të bindur kreun e demokratëve që të votojnë draftin e reformës në Kuvend. Disa ditë më parë, Lu u tregua i prerë teksa tha se opozita nuk po tregon fleksibilitet dhe se duhet të votojë draftin me ndryshimet kushtetuese.
Nga ana tjetër, opozita këmbëngul për ‘vendet e rezervuara’ duke thënë se nuk i kanë kërkuar kurrë 2/3 si opsion zgjidhje për një votim unanim. (java / r.a)