Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka komentuar këtë të enjte dy vendimet e sotme të dhëna nga gjykata e Tiranës dhe Apelit, në lidhje me lënien në arrest shtëpie të Elvis Roshit dhe rikthimin në detyrë të Haki Çakos. Basha tha se është Kryeministri Rama, ai i cili i ka vendosur gjykatat përpara dy zgjidhjeve, ose hakmarrjen e tij, ose dhënien e vendimeve që ai kërkon. Sipas kryedemokratit ky është modeli që Kryeministri ka rezervuar edhe për reformën në drejtësi.
“Çako u kthye në detyrë, Rroshi u kthye në shtëpi… Edi Rama i vuri Gjykatat para dy zgjedhjeve, nga njëra anë për të zbatuar ligjin por kjo me kosto të madhe për çdo gjyqtar. Edi Rama do u futej me brutalitet në familjen e tyre. Zgjedhja tjetër ishte të merrnin vendim si ky i sotmi, për të qenë në rregull me Edi Ramën. Sot është ditë kritike për vendin.
Nuk jam sot këtu për të kundërshtuar vendimet e gjykatës, por për të thënë se Rama nuk lejon hetim… sepse është vetë i përfshirë, duke dëgjuar vetë me kufje në veshë, duke përgjuar, deputetët, biznesmenët, ambsadorët… Krimi pranohet vetë nga Haki Çako, por dënimi nuk vjen. Roshi, është njeriu i Ramës… dhe ai është lënë i lirë për tu kthyer në shtëpi… përndyrshe cdo gjyqtar do të ishte përballur me Edi Ramën.
Kjo është drejtësia që do Rama, një drejtësi që lexon statuset e tij në Facebook dhe orientohet prej tyre. Rama kërkon një drejtësi që nuk prek krimet dhe bandën e tij në pushtet. Imagjinoni sikur ai t’i bëjë zap cdo gjyqtar e prokuror. Imagjinoni sikur të jetë ai që zgjedh dhe kualifikon gjyqtarët e prokurorët. Do të kishim një sistem që do të zëvendësohej me kandarin e Edi Ramës. Kurrë, e Kurrë nuk ka për ta kapur Rama drejtësinë.”- tha Basha./ java/ a.k