Gjykata ka futur në burg një oficer të patrullës policore të Komisariatit nr.1 në Kryeqytet, pasi ai përndiqte dhe dhunonte fizikisht ish të dashurën e saj, oficere e policisë në Komisariatin e Krujës.
Bëhet fjalë për shtetasin Lumian Meta, i cili përndiqte shtetasen me inicialet S.B që prej muajit janar, duke e rrahur dhe kërcënuar psikologjikisht me qëllim që lidhja e tyre të riniste. Vendimi i Gjykatës është zbatuar nga ana e oficerëve të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme.
Dosja
Në bazë të veprimeve hetimore, ka rezultuar se i dyshuari nuk ka pranuar faktin e ndërprerjes së marrëdhënies intime me të dëmtuarën.
Për këtë arsye, ai e ka përndjekur dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj në disa raste të përsëritura.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se i dyshuari dhe e dëmtuara kanë nisur lidhje dashurore në vitin 2014, gjatë studimeve në Akademinë e Policisë. Kjo lidhje ka vijuar deri në janar 2016.
Në këtë kohë, e dëmtuara S.B. ka refuzuar të vijojë lidhjen intime, për shkak se, sipas saj, i dyshuari ushtronte dhunë sistematike.
Prej janarit 2016 e në vijim, i dyshuari e ka përndjekur, dhunuar dhe kërcënuar në mënyrë sistematike, me qëllim që lidhja e tyre të rifillonte.
E dëmtuara nuk ka pranuar në asnjë rast dhe kjo sjellje e ka shndërruar në objekt dhune nga ish- i dashuri.
Në disa raste, dhuna psikologjike ndaj të dëmtuarës ka ndodhur edhe në praninë e kolegëve të tjerë të policisë.
Në këto kushte, Prokuroria e Krujës ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Lumian Meta ka konsumuar elementët e veprës penale “Përndjekja”. Për këtë arsye, nga ana e Prokurorisë së Krujës, u kërkua caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, e cila u pranua nga Gjykata e Krujës dhe ai u arrestua mesditën e së Mërkurës./ java/ a.k