Turqia ka shënuar progrese në javët e fundit por nuk i ka përmbushur ende të gjitha kriteret e nevojshme për të përfituar liberalizimin e vizave në hapësirën Schengen, sipas një raporti të publikuar sot nga Komisioni Evropian.
“Progreset vijojnë prej raportit të mëparshëm të publikuar në fillim të majit”, vlerësoi ekzekutivi evropian.
“Por Turqia duhet ende të përmbushë kriteret që janë përcaktuar në udhërrëfyes”, theksoi komisioneri Dimitris Avramopoulos, i ngarkuar për çështjen migratore.
Më shumë se një muaj pas raportit të fundit, Komisioni citon në fakt të njëjtën listë të kritereve që duhet të përmbushen (shtatë nga lista prej 72 pikash) duke përfshirë ndryshimin e legjislacionit anti-terrorist turk, i cilësuar shumë i zgjeruar që po kërcënon lirinë e shprehjes sipas standarteve evropiane.
Turqia ka refuzuar deri më tani të ndryshojë legjislacionin, në një kontekt të rishfaqjes së akteve të dhunës në konfliktin kurd prej verës 2015, shoqëruar me një seri sulmesh terroriste që mbajnë autorsinë e rebelëve kurdë dhe të grupit të Shtetit Islamik (ISIS).
(java / r.a)