Demokratët e kryeqytetit amerikan, Uashingtonit u thirrën të marrin pjesë në votimin e së martës për të mbyllur procesin e primareve 2016, një proces pa sfida, meqenëse Hillary Clinton është përzgjedhur zyrtarisht javën e kaluar si kandidatja fituese e kampit demokrat për Shtëpinë e Bardhë.
Rivali i saj, senatori i Vermontit Bernie Sanders do të takohet me të në mbrëmje në Uashington, për të nisur zyrtarisht fushatën kundër Donald Trump dhe programin e Partisë Demokrate.
Pritet që bisedimet të përcaktojnë modalitetet e sloganit apo të zhvillimit të konventës për zyrtarizimin e emërimit të Clinton që do të zhvillohen nga data 25 deri në 28 korrik në Filadelfia, citohet Koha.
“Sekretarja Clinton dhe senatori Sanders kanë vendosur të takohen me ftesën e bërë publike të martën e kaluar nga ana e Clinton.
Ajo ka shfaqur entuziazmin e saj me këtë rast për të biseduar për promovimin e angazhimeve te tyre të përbashkëta në favor të agjendës progresiste si dhe për të bashkuar forcat për të ndalur Donald Trump”, deklaroi një anëtar i ekipit të fushatës së Hillary Clinton. (b.an)