Në përfundim të votimit në Komisionin e Posaçëm, Fatmir Xhafaj ka konfirmuar para kamerave se drafti i Reformës në Drejtësi është votuar nen për nen dhe në tërësi pa praninë e opozitës.
Xhafaj tha se së shpejti drafti do të shkojë për votim në Kuvend, ndërsa theksoi se sot është hapur një faqe e re për vendin.
Gjatë prononcimit të tij, kryetari i Komisionit falenderoi në veçanti ambasadorët e SHBA dhe BE për draftin, që Xhafaj e cilësoi si të përbashkët me partnerët ndërkombëtarë.
“Projekti i sotëm është projekti kushtetues i majit që u paraqit në Komision dhe që u votua unanimisht. Nuk është produkt i një force të caktuar politike. Shqiptarët e meritojnë këtë mundësi pasi reforma është në interes të së ardhmes” – tha Fatmir Xhafaj.
Ai tha se është rënë dakord që drafti të kalojë, ndërkohë që ditët në vijim është lënë e hapur një zgjidhje konsensuale e mundshme sa i përket pretendimeve të opozitës.
“Ka një çështje që është në diskutim dhe që ka të bëjë me formatin e disa prej institucioneve të sistemit të ri, pra për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorëve për pjesën e jogjytarëve dhe joprokurorëve që zgjidhen nga Parlamenti, ashtu edhe për Kolegjin e Verifikimit dhe Apelimit. Ramë dakort që të kalojmë projektin dhe të lëmë mundësin e hapur që në ditë që vijnë të reflektohen ndryshimet që mund të bëhen për këto pika”, tha Xhafaj.
(java / r.a)