Papa Françesku ka miratuar sot krijimin e një gjykate, të paprecedentë në historinë e Vatikanit, për të gjykuar peshkopët e akuzuar se kanë mbuluar apo nuk kanë parandaluar abuzimet seksuale ndaj të miturve, duke plotësuar kështu një kërkesë kyçe të viktimave.
Në një deklaratë të publikuar nga Selia e Shenjtë, thuhej se gjykata në fjalë do të hetojë nën mbikëqyrjen apo kujdesin e Asamblesë për Doktrinën e Besimit, organi doktrinal i Vatikanit, “për të gjykuar peshkopët në lidhje me krimet e shpërdorimit të detyrës, gjatë rasteve të abuzimeve me të miturit”.
Grupet e interesit, në mbrojtje të të miturve viktima të akteve të peshkopëve, kanë bërë thirrje prej vitesh kundrejt Vatikanit që të krijojë procedura të qarta për t’i bërë peshkopët përgjegjës të veprimeve të tyre nëpër dioqezat e tyre, edhe nëse nuk janë drejtpërdrejtë përgjegjës për to.
Zëdhënësi i Vatikanit, At Federico Lombardi, tha për reporterët se peshkopët do të gjykohen gjithashtu, edhe nëse kanë dështuar të marrin masa për të parandaluar abuzimet seksuale me të miturit.