Shkalla e papunësisë ka shënuar rënie për meshkujt dhe është rritur për femrat në tremujorin e parë të këtij viti, në raport me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, sipas Anketës së Forcave të Punës së publikuar sot nga INSTAT.
Sipas të dhënave rezulton se për popullsinë nga 15-64 vjeç, shkalla e papunësisë për femrat është rritur nga 16.1% në tremujorin e fundit 2014 në 16.8% në tremujorin e parë 2015. Për meshkurt treguesi është ulur përkatësisht nga 19.4% në 17.7%.
Në raport me një vit më parë, shkalla e papunësisë për femrat ka mbetur në të njëjtin nivel 16,8 %, ndërsa për meshkujt ka rënë me 2,2 pikë përqindje.
Në total, për popullsinë e moshës 15-64 vjeç shkalla e papunësisë është 17,3 %, duke shënuar rënie sin ë raport me tremujorin e fundit 2014 (kur ishte 18%) ashtu dhe në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishte 18.6%.
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2015, sipas Anketës së Forcave të Punës, numri i të punësuarve të moshës 15-64 vjeç është 1.039.545 persona. Numri i personave të papunë të moshës 15-64 vjeç është 217.647 persona.
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2015 në Shqipëri:
Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 34,1 %.
63 % e popullsisë 15-64 vjeç është aktive në tregun e punës, pra e punësuar ose në kërkim aktiv të një pune.
Shkalla e punësimit për popullsinë e moshës 15-64 vjeç është 52,1 %.
Shkalla e punësimit për meshkujt është 14,3 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat.
Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014 për popullsinë 15-64 vjeç:
Numri i të punësuarve është rritur me 103.945 persona.
Numri i personave të papunë është rritur me 3.279.
Numri i personave në moshë 15-64 vjeç jashtë tregut të punës ka rënë me 99.544.
Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2014 për popullsinë 15-64 vjeç:
Numri i të punësuarve është rritur me 210 persona.
Numri i personave të papunë ka rënë me 9.760.
Numri i personave në moshë 15-64 vjeç jashtë tregut të punës është rritur me 11.442.
Shkalla e papunësisë ka rënë me 1,7 pikë përqindje për meshkujt dhe është rritur me 0,7 pikë
përqindje për femrat.
Ritmi i rritjes së punësimit sipas sektorëve nga tremujori i katërt 2014 në tremujorin e parë 2015 është: 3 % në sektorin e shërbimeve jo të tregut; 2,4 % në bujqësi; 1,9 % në aktivitetet e industrisë nxjerrëse, Energjisë, Gazit dhe Furnizimit me ujë. Pati rënie të numrit të të punësuarve në aktivitetet e ndërtimit me 2,3 %; në industrinë përpunuese prej 5,3 %; dhe me 0,8 % në sektorin e shërbimeve të tregut.
Në terma vjetorë, punësimi u rrit me 10,6 % (krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014). Rritje më të madhe vjetore në punësim patën sektorët: ndërtim me 21,7 %; shërbime jo të tregut me 12 %; shërbime të tregut me 9 %; industri përpunuese me 11 %; bujqësi me 9,9 %. Në terma vjetorë punësimi pësoi një rënie prej 3,4 % vetëm në grup-aktivitetet e industrinë nxjerrëse, Energjisë, Gazit dhe Furnizimit me ujë.
Monitor