Partia Dermokratike ka kryer një protestë në Krutje të Lushnjes, duke kërkuar kushte më të mira për 3500 banorët e këtij fshati. Shumë prej tyre ankohen për kushtet në të cilat ndodhen rrugët, mungesën e investimeve, dhe taksat e larta të bashkisë.
“Kemi probleme të shumta. Plehrat nuk mblidhen. Nuk ka rrugë. Në 3 rrugët e fshatit janë të pashtruara dhe nuk ka asnjë ndriçim. Bashkia kërkon edhe taksë gjelbërimi kur nuk ka mbjellë asnjë pemë. Eshtë bërë për të ikur nga ky vend, sepse jemi pa rrugë, nafta e shtrenjtë dhe çmimi për prodhimet është i ulët”, shprehen banorët.
Kreu i Partisë Demokratike të Lushnjës, Myslym Murrizi mbështeti protestën e banorëve të Krutjes duke i cilësuar kërkesat e tyre si legjitime.
“Jemi këtu në mbështetje të protestës së qytetarëve të Krutjes për problemin e parë emergjent të tyre për rrugën Krutje-Lifaj. Jetojnë 3500 banorë në këtë njësi dhe kjo rrugë është premtuar disa herë nga pushtetarët lokalë. Ky komunitet i mrekullueshëm kërkon shërbim për pagimin e taksave. Ata kanë edhe problem të tjera siç është edhe subvencionimi i bujqësisë. Sot në opozitë dhe nesër në pushtet do të jemi në të drejtën e qytetarëve për shërbimet e tyre. Është elementare në 2016 që një komunitet në zemër të Shqipërisë dhe Myzeqesë të ketë rrugën. Protesta e tyre është e dejtë dhe qytetarët duhet të reagojnë në këtë formë ndaj çdo qeverie që nuk mban premtime”, tha Murrizi./ java. a.k