Patrik Gonfalon, trajneri i kombëtares U-19 të Francës, i cili ndjek hap pas hapi Shqipërinë që në muajin mars, do të prezantojë sot para trajnerit Didier Deshamp raportin e tij të plotë rreth kuqezinjve. Ky raport i “spiunit” të kuqezinjve do të ndikojë në taktikat e përzgjedhura nga francezët për ndeshjen e datës 15 qershor në Marsejë.
Sipas “RMC Sport”, Gonfalon do të mblidhet sot me të gjithë stafin teknik të Francës, për të shpalosur analizën e plotë rreth lojës së kombëtares shqiptare dhe çdo lojtari në përbërjen e saj.
Ai ka ndjekur që në mars ekipin drejtuar nga De Biazi, në secilën prej miqësoreve që ka zhvilluar, ndërsa të shtunën ishte i pranishëm edhe në stadiumin e Lens për të ndjekur takimin kundër Zvicrës, bashkë me Zhan-Klod Xhuntini, i cili ka luajtur të njëjtin rol për helvetët.
Raportimi kryesor do të jetë për sa i përket fazës mbrojtëse të ekipit shqiptar dhe dilemat që ka De Biazi, për të zëvendësuar Canën e pezulluar me Kukelin, apo me Ajetin./ Panorama/ a.k