Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi në një intervistë për “TemA” është shprehur se çështja e përgjimeve tashmë është kthyer në një lojë politike për të goditur policinë dhe përmes saj dhe qeverinë e Ramës.
Sipas tij, duhet të thërritet nga prokuroria i pari Sali Berisha, njeriu që bëri publike këtë skemë, ndërkohë që ai akuzon për një skenar mirëfilli kundër mazhorancës në lidhje me këtë çështje në të cilën janë përfshirë Prokuroria, SHISH dhe mbi të gjitha presidenti Bujar Nishani. Në lidhje me të ashtuquajturin pajisje përgjimi, Klosi nënvizon faktin se asnjeherë nuk merret leje nga prokuroria për aparatura, por merret leje vetëm për të bërë përgjimin.
Ish-kreu i SHISH thotë se Visho Ajazi Lika është pjesë e këtij skenari dhe nuk po bën punën që e ngarkon Kushtetuta. Sipas tij deri më tani ka dërgjuar se është është bërë përdorim i kësaj aparature nga një burg, pavarësisht se nuk e di nëse është e vërtetë, por në përfundim ai thotë se të gjitha këto bëhen për të penguar Reoformën në Drejtësi. Ku me sa duket bashkë dhe me kundërshtitë ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë ata që e pengojnë kanë halle të mëdha me drejtësinë për ndonjë krim të pandëshkuar.
Për të, ndonëse nuk është e qartë nëse Flamur Noka është rekrutuar nga shërbimi sekret ish-jugosllav, nëse ai ka pranuar bashkëpunimin, problemi nuk është aq i thjeshtë, është cilësisht ndryshe nga të gjitha krimet e tjera. Ndërsa dosjet e UDB nga serbët do të hapen të fundit, ndërkohë që është shumë vështirë të hapen ndonjëherë.
Klosi. Ka disa kohë që ka shpërthyer një debat i fortë për çështjen e një pajisjeve përgjuese të sjellë nga partnerët tanë italianë në Shqipëri. Si e vlerësoni ndjekjen lineare institucionale të këtij lajmi nga kreu i SHISH Visho Ajazi drejt Kryprokurorit, Presidentit dhe lënien jashtë sferës së njoftimit kryeministrin Edi Rama?
Gjithë problemi sipas meje ka një prapavijë të pastër politike, prandaj gjithçka ka ndodhur deri më tani është në këtë kuadër. Që kur filloi me veprimet e kreut të SHISH dhe me mënyrën si po vazhdon, vetëm sjell argumenta në favor të kësaj teze. Qëllimi është të diskreditohet Policia, Ministria e Brëndëshme dhe Qeveria për gjoja veprime të paligjshme si dhe për të larguar vëmëndjen e opinionit publik nga Reforma në Drejtësi dhe probleme të tjera të mëdha që ka vendi. Të gjithë ata që i kanë fryrë këtij problemi nga Presidenti e poshtë, janë pjesmarrës në këtë unison të mbrapshtë.
Akoma nuk ka dalë e qartë se ku është vepra penale e kryer. Tek Prokurori kërkohet miratim për përgjime konkrete. S’e kam dëgjuar ndonjëherë se u dashka marrë dora e Prokurorit, për aparaturat që duhet të ketë Policia apo institucione të tjerë. Eshte absurde. Aq më tepër, të merret leja për kualifikimin e oficerëve të policisë në fusha të ndryshme.
Por të mos zgjatemi leja merret vetëm për të përgjuar, nëse është përgjuar le të bëhen akuzat konkrete.
Z.Visho Ajazi argumentoi shmangien e Ramës me faktin se ishte informacion gojor i parëndësishëm, ndërkohë që kryeprokurori Llalla ka hapur hetim ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Çako. Madje gjykata me kërkesë të Llallës e pezulloi nga detyra Çakon. Vlerësimi juaj?
Kreu i SHIK e përdori këtë argumentim për t’u justifikuar, pasi nuk mund ta thoshte që ishte pjesë e prapaskenës politike përkatëse.
Duket se kjo situatë është kthyer në politike, duke futur në qerthullin e akuzave dhe gjykatësin që kishte qënë me rekorde kriminale dhe i përdorshëm politikisht ndër vite. Mendoni se një situatë e tillë ka si qëllim pengimin e punës së policisë në pikun e luftës kundër drogës dhe veprimtarisë kriminale dhe zhytjen e vendit në kaos për qëllime politike?
Fatkeqësisht edhe të akuzuarit kanë rënë qerthullin e lojës politike. Se nga kush përbëhet sistemi i drejtësisë nuk ka nevojë për prova të reja konkrete, vetë nevoja e Reformës në Drejtësi e ka treguar me kohë këtë fakt. Policia duhet t’i mbrojë njerzit e saj, t’i kërkojë Prokurorisë provat e përgjimeve dhe pasojat që kanë patur. Mbase, Prokuroria ka marrë si provë deklaratën e Presidentit lidhur me cënimin e Sigurisë Kombëtare nga kjo aparaturë. Sa qesharake.
Gjer tani kam dëgjuar për një përdorim në një burg, dëgjuar, nuk e di sa e vërtetë është. Ndjekja e një krimineli në burg e cënuaka Sigurinë Kombëtare?
Sigurisht, qëllimi final është zhytja e vëndit në një kaos, për qëllime të mbrapështa politike.
Po tentohet që të krijohet përmes përgjimeve, videove një situatë si në Maqedoni. Sa afri ka një skenar i tillë i opozitës?
Situata nuk ka asgjë të përbashkët me atë në Maqedoni, atje u botuan përgjimet, me to u implikuan politikanë dhe nëpunës të lartë të shtetet me emra konkretë. Ishin materiale profesionalë.
Këtu, kjo që po ndodh është shumë foshnjore. Para ca ditëve, “Dijetari” i Kombit nxori një listë të të përgjuarve, një nga bllofet e zakonshme të tij. Pse s’e thërret Prokurori të japë ai shpjegime për ato që di. Këtu akoma nuk dihet nëse është përgjuar njeri apo jo. Ata që e kanë aparaturën thonë jo. A do të mbajë përgjegjësi Prokuroria nëse kjo aferë do të dalë një bllof? Apo presin që në pyetjet e shumta, dikush nga ata që pyeten, të ngatërrohet në ndonjë shpjegim dhe të nesërmen shtypi të shkruajë se u pranua krimi ?
Si e vlerësoni përpjekjen e Berishës dhe të PD për të mos miratuar me çdo kusht reformën në drejtësi, madje duke dalë dhe kundër SHBA dhe BE, e treguar qartë ditën e djeshme. Mendoni se ka ndonjë hall të madh të tyre përtej këtij qëndrimi kundër?
Qëndrimet e fundit i shoh si provë shumë bindëse që Berisha ka frikë nga Reforma në Drejtësi. Qëndrimi i tyre, dhe në kundërshtim me përpjekjet e miqve ndërkombëtarë, tregon se ata kanë jo një po shumë halle të mëdha që rrjedhin nga shumë krime të pandëshkuar, ndaj të cilëve “aparati i përgjimeve” është një shaka pa kripë.
Mendoni se me miratimin e reformës në drejtësi dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të fillojë të marrë fund pandëshkueshmëria dhe mund të ndodhë si në Kroaci, Rumani etj., që mund të kemi prapa hekurave të burgut dhe ish-kryeministra apo zyrtarë të tjerë të lartë?
Unë shpresoj se do të fillojë ky proces, pasi në Shqipëri problemi më i madh me ligjet ka qënë zbatimi i tyre, aktet nënligjorë të nevojshëm, institucionet ligjzbatuese e plot hallka të tjera të nevojshme. Aprovimi i Reformës është vetëm fillimi i punës për një drejtësi të drejtë.
Në “rrjetën” e formularëve të vetëdeklarimit në kuadër të zbatimit të ligjit për dekriminalizimin kanë rënë kryetarë bashkie por janë lakuar dhe emra deputetësh. Mendoni se po e kryen funksionin ky ligj?
Ky ligj ka qënë i sforcuar dhe nuk besoj se do të arrijë ndonjë gjë reale, sigurisht, do të shtojë argumentat për acarimin e debatit politik në vend.
Një ndër deputetët që nuk ka deklaruar ndalimin nga policia ish-jugosllave dhe shërbimi sekret ish-jugosllav në vitin 1991 është dhe ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka. Mendoni se duhet të hetohet nga Prokuroria, pasi ka dhënë dëshmi dhe të shkruara se është oferuar nga shërbimi sekret jugosllave për bashkëpunim, madje ka bashkëpunuar…?
Nuk shoh ndonjë problem të jashtëzakonshëm këtu. Të gjitha ata që kalonin kufirin nga të dy anët, merreshin në pyetje nga autoritetet përkatëse. Sipas rastit ju bëheshin dhe propozime për të bashkëpunuar. Të rëndësishme janë përgjigjet e të kontaktuarve. Nuk e di se cila ka qënë përgjigja në rastin konkret, por nëse ka pranuar bashkëpunimin, siç thoni ju, problemi nuk është aq i thjeshtë, është cilësisht ndryshe nga të gjitha krimet e tjera.
A duhen hapur dosjet e UDB dhe si ka mundësi që në qeverisjen e Berishës ka njgritje në detyrë vetëm të njerësve të lidhur me shërbimin sekret serb, të afërm serbë. Janë të lidhura gjërat?
Si mendoni ju, kush ti hapë ato dosje? Dosjet e Shqipërisë, serbët do t’i hapin të fundit, nëse do t’i hapin ndonjëherë. Megjithate, shqiptarët kanë plot ngjarje të këtij tranzicioni, që dhe pa hapjen e dosjeve serbe, mund të nxjerrin mjaft përfundime të vlefshme. Por politika shqiptare, gjatë këtij tranzicioni të zgjatur, ka qënë një politikë e kompromiseve të heshtura, e lëshimeve reciproke, e papërgjegjshërive ekstreme, prandaj nuk parashikoj ndonjë hap serioz në këtë aspekt. Dhe situata në rajon, fryma e re e bashkëpunimit midis vendeve, nuk e ndihmon këtë trajtim.Tema/ a.k