Investimet e huaja direkte ranë me 42 për qind në tremujorin e parë të vitit, duke qenë 109 milionë euro më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, për periudhën Janar-Mars të këtij viti, kompanitë e huaja investuan në ekonominë shqiptare 152.2 milionë euro, nga 261.2 milionë euro që ishte shifra në tremujorin e parë të vitit 2015.
Ngadalësimi i investimeve të huaja në tremujorin e parë duket i lidhur edhe me zhvillimet e pafavorshme në tregjet botërore të naftës dhe mineraleve.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për perudhën 2013-2014, mbi 60 për qind e investimeve të huaja në vend kanë qenë të përqëndruara në aktivitetin e industrisë nxjerrëse. Por, dy vitet e fundit çmimet e naftës dhe mineraleve në tregjet globale kanë rënë në nivelet më të ulëta, duke çuar në rrudhjen e investimeve në këta sektorë.
Thuajse të gjitha kompanitë e huaja që prodhojnë naftë në vend kanë ulur me disa herë buxhetin e investimeve, rënie kjo e cila sipas Bankës së Shqipërisë nuk është mundur të kompesohet nga flukset hyrëse të kapitalit në sektorët e tjerë të ekonomisë.
Megjithatë, ekspertët shpresojnë që në 3 tremujorët e tjerë të vitit, tendenca rënëse e investimeve të huaja të përmbyset nga avancimi i punimeve të gazsjellësit Transadriatik, punimet për të cilin zyrtarisht u çelën më 17 maj.
Investimet e huaja direkte arritën kulmin në vitin 2013, kur kompanitë nga jashtë investuan në ekonominë shqiptare 944.7 milionë euro. Në vitin 2014 shifra ra në 869 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar ajo u rikuperua lehtësisht në 881 milionë euro.TCH/. a.k