SPECIALE JAVANEWS/ Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), janë qartazi “thembra e Akilit” e Reformës në Drejtësi. Këto dy institucione do të jenë edhe pasardhëset e Këshillit të Lartë të Dretësis (KLD). Në draft parashikohet se si KLGJ ashtu edhe KLP, do të kenë të njëjtat kompetenca, ku njëra është në planin e Gjyqësorit, tjetra në atë të Prokuroris. Duke iu refereruar draftit, KLGJ do të emërojë të gjithë gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit të gjithë vendit; do të propozojë anëtarët e Gjykatës së Lartë tek Presidenti, i cili mund të refuzojë emërimin vetëm në shumë pak raste të veçanta, por edhe atëhere KLGJ e KLP mund të ripropozojë të njejtën kadidaturë dhe Presidenti është i detyruar ta emërojë. Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të përbëhen nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 do jenë gjyqtarë dhe do të zgjidhen me votimin e gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit, ndërsa 5 anëtarë do të jenë jo-gjyqtarë dhe do të zgjidhen nga Kuvendi. Është pikërisht mënyrën e zgjedhjes nga Kuvendi të 5 anëtarëve jo-gjyqtarë të KLGJ-së e të KLP-së, edhe pika ku përballen fort mazhoranca dhe opozita.
Propozimet
Në të tre draftet e deritanishme të reformës, është propozuar që 5 anëtarët jogjyqtarë të KLGJ-së dhe të KLP-së të zgjidhen nga Kuvendi me 3/5 e votave, pra me votat e 84 deputetëve. PD-ja e kundërshtoi këtë korum votash pasi mazhoranca e ka numërin e duhur të votave për të zgjedhur 5 anëtarët e tjerë të KLGJ-së dhe të KLP-së. Argumenti i PD-së ishte se me këtë korum votash mazhoranca mund të zgjedhë në mënyrë të njëanshme të gjithë anëtarët e KLGJ-së e të KLP-së. Duke parë këtë situatë, dhe për shkak të inferioritet të saj të theksuar në vota që ka në Kuvend, PD-ja kërkoi që votimi të ishte me 2/3 e Parlamentit, pra me një shumicë prej 94 votash. Kjo kërkesë, sipas demokratëve, do të kushtëzonte mazhorancën që të bënte marrëveshje me opozitën. Ky propozim fillimisht u refuzua nga mazhoranca.
Procedurat e zgjedhjes
Lidhur me këtë përballje, pra për korumin e votave, palët iu drejtuan edhe Komisionit të Venecias. Sipas Komisionit, çfarëdo shumice e kualifikuar që të zgjidhet, me 3/5 apo 2/3, gjithshka mund të rrezikohet, pasi nëse nuk arrihet numëri i votave, procesi mund të bllokohet, ndaj rekomandoi se në draft duhet parashikuar edhe një mekanizëm zhbllokues. Duke marrë shkas nga kjo ekspertët ndërkombëtarë propozuan që 5 anëtarët jogjyqtarë të KLGJ-së të zgjidhen mbi bazën e këtij përfaqësimi: një anëtar nga rradhët e avokatëve, një anëtar nga rradhët e noterevë, një anëtar nga rradhët e pedagogëve të drejtësisë, një anëtar nga rradhët e pedagogëve jogjyqtarë të Shkollës së Magjistraturës dhe një anëtar nga shoqëria civile; Për çdo vend anëtari, grupimet e mësipërme i çojnë tre propozime Këshillit të Lartë të Emërimeve. i cili përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët zgjidhen çdo vit me short mes gjyqtarëve dhe prokurorve të të gjitha shkallëve. Pasi merr propozimet, KLE verifikon përputhshmërinë e kandidaturave më kriteret dhe bën vlerësimin e tyre, duke bërë edhe renditjen. Këto propozime, i dërgohen Kuvendit, i cili i miraton në votime të veçanta brenda secilit grup. Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë një anëtarë, atëherë procedura përsëritet mbi bazën e propozimeve të reja. Nëse edhe këtë rradhë nuk arrihet shumica e kërkuar atëhere kandidati i renditur më lart në renditjen e KLE-së konsiderohet i emëruar.
Zanafilla e kompromisit të ofruar nga amerikanët
Por kjo skemë u kundërshtua nga PD-ja. Sipas saj, lënia e zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së në dorë të KLE-së, do të thotë, që t’i “varësh ujkut mëlçinë në qafë”, pavarësisht se KLE, mund të jetë e pandikuar dhe objektive. Sipas PD-së, shoqatat apo organizmat nga vinë propozimet janë të ekspozuara ndaj kontrollit qeveritarë, gjë që çon në ndikimin e përzgjedhjes së kandidaturave. Nisur nga këto zhvillime grupi i ekspertëve amerikan të OPDAT-it propozi disa variante të tjera për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së. Këto propozime me natytë konfidenciale u bënë publike në një rast të paprecedentë nga lidershipi i PD-së, Basha- Berisha. Një prej këtyre propozimeve, ishte edhe ai i “vendeve të rezervuara”, që parashikonte që 5 anëtarët jogjyqtarë të KLD-së zgjidhen dy nga shumica; dy nga pakica dhe një me votim 3/5 nga Kuvendi me propozim të shoqërisë civile. Për këtë propozim ka mjaft pikëpyetje për “origjinalitetin e tij” nëse është vërtetë i OPDAT-it apo është një kërkesë e PD-së, të cilën e formuloi OPDAT-i. Por PS-ja nuk e pranoi formulën e “vendeve të rezervuara”.
Kompromisi i Ramës dhe ngurtësia e Bashës
Ndërkaq duket se mazhoranca kishte përgatitur lëvizjen e saj që në thelb mbante frymë kompromisi. Kryeministri Rama pranoi kërkesën disamujorshe të PD-së për votim me 2/3 të 5 anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, që nuk vinë nga rradhët e drejtësis. Kjo lëvizje e tij qartazi dëshmonte se i kishte bërë PD-së një lëshim shumë të madhë. Por PD-ja u përpoq ta zbehte vlerën e këtij lëshimi duke këmbëngulur te “vendet e rezervuara”. Këtu fillon dhe “gropa thithëse” për PD-në, e cila si në opinionin publik dhe atë ndërkombëtarë gjerësisht u perceptua dhe vijon të perceptohet se nuk është e interesuar për konsensus dhe se në thelb nuk do që të miratohet Reforma në Drejtësi. Një argument logjik po të shihet vijësjellja e saj politike përgjatë 1 viti e ca, ku nuk la sebep pa përdorur kundër Reformës. Për të zgjidhur këtë nyje nuk mjaftoi as takimi Rama- Basha. Në këtë takim krerët e PS dhe PD shkuan me argumentat që PS ofron konsensus për 2/3 për zgjedhjet në KLGJ dhe KLP, ndërsa PD përpos 2/3 kërkonte dhe zbatimin e formulës së “vendeve të rezervuara”, ku dy anëtarë të zgjidhen nga mazhoranca, dy nga opozita, dhe njëri me votim 3/5 të Kuvendit me propozim nga shoqëria civile.
Dështimi i PD-së dhe përplasja me SHBA e BE
Kjo pikë çoi në dështimin e takimit Rama- Basha, por që në realitet i dha pikë kryeministrit, pasi ai e përqëndroi fjalën e tij pas takimit te lëshimet që i ishin bërë PD-së, me pranimin e kërkesës së saj për votim me 2/3, duke ekspozuar PD-në si një forcë politike që nuk dëshëron kompromisin dhe është kundër Reformës. Basha stonoi ndjeshëm me argumentat e tij të stërthëna, që në opinionin publik u perceptuan se kishte ardhur në takim për të mos bërë kompromis duke u kapur pas sebepeve. Teza e “vendeve të rezervuara” u kuptua qartësisht si një përpjekje për kapje politike të sistemit të drejtësis. Dhe në fakt e tillë është. Kjo bëri që edhe SHBA dhe BE ta perceptonin PD-në se nuk dëshëronte kompromis dhe se nuk ishte e gatshme të bënte lëshime sikundër bëri mazhoranca. Kjo bëri që mbi PD-në të lëshoheshin rrufe. PD-ja realisht ndodhet në qorrsokak. Nëse dëshëron kompromis duhet të bësh lëshime. Deri tani ajo nuk ka bërë asnjë lëshim. Kjo e ka ekspozuar atë si forcë politike që nuk është e interesuar për konsensus, për të mos thënë se në realitet nuk është e interesuar fare për Reformën në Drejtësi.
(javanews.al) Me. Ar